Dënimet plotësuese që po parashihen të përfshihen si ndryshime në Kodin Penal për veprat penale dhunë në familje, ngacmim seksual e dhunim, po konsiderohen të jenë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe përpjekje për të kriminalizuar të drejtat civile të njerëzve.
Besohet se këto sanksione nuk do të kenë efekt në uljen e këtyre veprave penale, prandaj kërkohet ashpërsim i dënimeve për kryesit e këtyre veprave.
E me këto ashpërsime të dënimeve për dhunuesit deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj konsideron se Qeveria e Kosovës me apo pa vetëdije po kriminalizon të drejtat civile të qytetarëve.
Selmanaj, i cili është edhe anëtar i Komisionit për Legjislacion, vlerëson se si të tilla këto propozime do t’i rrëzoj Gjykata Kushtetuese.
Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovë, Hajdar Beqa shprehet se propozimet e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu kanë më shumë karakter të një OJQ-je.
Sipas tij, duhet shikuar rruga ligjore për të forcuar mekanizmat ligjore me qëllim të uljes së rasteve të dhunimit por edhe dhunës në familje në vend.
E kundër këtyre ndryshimeve në Kodin Penal janë shprehur nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut.
Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Behxhet Shala thotë se këto propozime janë në kundërshtim me të drejtat e njeriut dhe Kushtetutën e Kosovës.
“Këto propozime janë në kundërshtim të plotë me të drejtat e njeriut të personave të privuar nga liria dhe në kundërshtim me Kushtetutën dhe pa asnjë dyshim në kundërshtim edhe me Gjykatën Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut për faktin se parashihen dënime mbi dënime, ndërkaq edhe personat e privuar nga liria i gëzojnë disa të drejta aq më parë se me këto ndryshime thjesht po paragjykohet fajësia e dikujt dhe në anën tjetër asnjë propozim i cili del nga ministria, përkatësisht nga Qeveria nuk është në vijën kauzale me veprat për të cilat parashihen këto dënime dhe në këtë kontekst ato janë të papranueshme dhe aspak nuk do të ndikojnë në uljen e rasteve të dhunës në familje apo në uljen e rasteve seksuale të dhunimit, madje vetëm sa do të favorizojnë rritjen e disa veprave të natyrës kriminale”, tha ai.
Kryetari i KMDLNj-së beson që kjo platformë e re ligjore ndëshkuese ndaj atyre që shkaktojnë dhunë nuk do ta marrë bekimin e deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
E këto dënime plotësuese për dhunuesit i ka mirëpritur Rrjeti i Grave të Kosovës.
Valmira Rashiti nga RrGK konsideron se ka qenë momenti i fundit për një reagim të tillë institucional.
“I kemi mirëpritur këto ndryshime që po parashihet të jenë pjesë e Kodit të ri Penal, por edhe atij të Procedurës Penale mendojmë se ka qenë koha e fundit me pas një reagim institucional pak më gjithëpërfshirës të kërkesave të grave në Kosovë duke marr parsysh nivelin e lartë të dhunës sidomos të dhunës seksuale që ka qenë në nivel të lartë muajve të fundit....Ne po shpresojmë që ka me ndikuar dhe ka me qenë një ndryshim drastik i masave që duhet me u ndërmarrë për arsye se një kohë të gjatë kemi kaluar nëpër kulturë të heshtjes dhe nuk janë sanksionuar abuzuesit dhe dhunuesit e tash do tw kalojmw në një kulturë komplet tjetër ku ka me pas sanksione”, theksoi Rashiti.
Rastet e dhunimeve seksuale por edhe dhuna në familje janë fenomen shqetësues, sidomos gjatë këtij viti. Rasti më tragjik që tronditi vendin ishte ai i dhunimit të 11 vjeçares, për të cilin u organizuan edhe protesta e reaguan edhe krerët shtetëror.