Ndryshimet klimatike po e imponojnë “Ndërtimtarinë e Gjelbër”
Në Fakultetin e Inxhinierisë Civile të Universiteti i Prishtinës po mbahet Forumi 2026, i organizuar në bashkëpunim me Këshillin e Ndërtimit të Gjelbër të Kosovës (KGBC), me fokus në transformimin e sektorit të ndërtimit nga modeli linear në atë qarkullues dhe të qëndrueshëm.
Dekani i Fakultetit të Inxhinierisë Civile, Florim Grajçevci, tha se sfidat globale si ndryshimet klimatike, përdorimi intensiv i burimeve natyrore dhe menaxhimi i mbetjeve kërkojnë një qasje të re në sektorin e ndërtimit.
“Akademia, industria, institucionet publike, profesionistët, organizatorët, po, dhe partnerët institucionalë janë bërë bashkë për të diskutuar një nga sfidat dhe mundësitë më të rëndësishme të të gjitha kohërave: transformimin e sektorit të ndërtimit nga një model linear drejt një të ardhmeje qarkulluese (cirkulare) dhe të qëndrueshme. Sektori i ndërtimit historikisht ka qenë një nga shtyllat kryesore të ekonomisë dhe zhvillimit urban. Megjithatë sot, ne po përballemi me sfida të reja dhe komplekse: ndryshimet klimatike, përdorimi intensiv i burimeve natyrore, menaxhimi i mbetjeve, eficienca e energjisë dhe nevoja në rritje për qytete dhe infrastruktura më të qëndrueshme e më rezistente”, tha ai.
Ai shtoi se kalimi nga ekonomia lineare drejt ekonomisë qarkulluese është domosdoshmëri profesionale dhe shoqërore, duke theksuar se ky transformim kërkon bashkëpunim të ngushtë ndërmjet universiteteve, industrisë dhe institucioneve.
Ndërkaq, CEO dhe presidenti i KGBC-së, Fahrush Azemi, deklaroi se forumi ka bashkuar ide, institucione, biznese dhe akademinë për një qëllim të përbashkët ndërtimin e një të ardhmeje më të qëndrueshme për Kosovën.
“Ky bashkëpunim mes akademisë dhe institucioneve profesionale është jashtëzakonisht i rëndësishëm, sepse transformimi i vërtetë ndodh kur bëhen bashkë dija, inovacioni dhe praktika. Zonja dhe zotërinj, për dekada me radhë, sektori i ndërtimit anembanë botës ka funksionuar përmes një modeli linear: merr burimet, ndërto, konsumo, rrëno, krijo mbetje. Por sot, bota po ndryshon. Ndryshimet klimatike, mungesa e burimeve, kriza energjetike dhe degradimi mjedisor po na detyrojnë të ri-mendojmë mënyrën se si i dizajnojmë, ndërtojmë dhe i menaxhojmë ndërtesat dhe qytetet tona. E ardhmja i përket ekonomisë cirkulare” tha ai
Profesoresha nga Universiteti i Shkupit, Elena Dumova Jovanovska, theksoi rëndësinë e rikthimit te traditat në përdorimin e kujdesshëm të burimeve.
“Duke u kthyer te ndërtimi i gjelbër dhe të bërit të gjelbër, kjo është përsëri një kthim pas në traditën tonë. Nëse i kujtojmë vetes se si ndërtohej në vitet e kaluara, sa të kujdesshëm ishin njerëzit me burimet rreth tyre, mendoj se kjo është e vetmja gjë që duhet të bëjmë. Dhe, e fundit por jo më pak e rëndësishme, nuk ka asnjë shtet të madh, asnjë shtet mjaftueshëm të madh në botë që mund t’i adresojë i vetëm këto dy cëshje. Prandaj na duhet bashkëpunim dhe jam shumë e lumtur që në këtë ndërtesë sot jemi së bashku, jo vetëm Kosova, por rajoni. Maqedonia e Veriut është këtu gjithashtu” tha ajo
Edhe përfaqësuesja e agjencisë zvicerane “Helvetas”, Nastasija Stojanovski, tha se interesimi i madh për forumin dëshmon se temat e ekonomisë qarkulluese dhe zhvillimit të gjelbër po marrin vëmendje gjithnjë e më të madhe në Ballkanin Perëndimor.
“Do të thoja, sinqerisht, duke parë këtë sallë, kjo tashmë duket si një sukses. Jam shumë e lumtur që shoh aq shumë prej jush këtu, dhe jam e lumtur të shoh aktorë të ndryshëm duke bashkëpunuar së bashku: miq nga industria, akademia dhe shoqata të tilla si Këshilli i Ndërtimit të Gjelbër, por gjithashtu shoh edhe përfaqësues nga Qendra jonë e Ekonomisë Qarkulluese (Circular Economy Hub). Jam e lumtur që ndodhem këtu dhe vecanërisht sepse, para pak vitesh, biseda si kjo mund të dukeshin paksa të largëta për rajonin tonë, por sot po qëndrojmë të ulur në këtë sallë plot e përplot dhe mundësisht do të diskutojmë se si mund ta bëjmë këtë një realitet brenda Ballkanit Perëndimor”, tha ajo.
Ajo shtoi se programi rajonal RECONOMY, i zbatuar nga Helvetas dhe i mbështetur nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar (SIDA), po punon në vendet e Ballkanit Perëndimor për të mbështetur zhvillimin ekonomik dhe të gjelbër.
/Kosovapress/