Takimet falënderuese për qytetarët kosovarë, delegacioni i Bashkisë së Lezhës i ka vazhduar sot edhe me agjencitë turistike në Kosovës. Gjatë këtij takimi u ngrit nevoja edhe për promovimin e turizmit kosovar tek turistët shqiptarë në Shqipëri. Takimi u zhvilluar në ambientet e Odës Ekonomike të Kosovës.
Kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu tha se në këtë sezon veror rreth 70% e turistëve kanë qenë nga Kosova.“Jemi absolutisht tashmë një për arsyen jo vetëm se na bashkon flamuri, gjuha, zakoni, doket e tradita, por tashmë ne jemi një edhe në aktivitete të ndryshme sociale, kulturore, sportive por edhe në fushën e turizmit. Do të thotë se shqiptarët e Kosovës në Shëngjin, në bregdetin e Lezhës që nuk është vetëm Shëngjini por është edhe Tale është e dhe Laguna Kuna-Vain, Rana e Hedhun zënë këtë sezon 70% të klientelës tonë. Pra, ka një rritje të klientelës të shqiptarëve të Kosovës dhe kjo është një arsye pse ne jemi këtu për të falënderuar publikisht të gjithë ata shqiptarë të Kosovës që na kanë nderuar me pjesëmarrjen e tyre dhe na kanë bërë turizmin të jetë në nivele shumë të larta në Shëngjin. Dhe them me krenari se kemi qenë ndër bregdetet më të frekuentuara fal shqiptarëve të Kosovës, fal punës së jashtëzakonshme që është bërë mes operatorëve turistikë dhe në investimet që janë bërë dhe në një transformim të rëndësishëm në standardet e hotelerive”, tha ai.
Sami Mazreku, kryesues i Kuvendit të Odës Ekonomike ftoi resortet nga Shqipëria që të investojnë në Kosovë dhe ta zhvillojnë turizmin kosovar.
Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi gjatë këtij takimi foli për zgjatjen e sezonit turistik dhe mundësinë e promovimit të bukurive natyrore të Kosovës edhe nga kompanitë shqiptare.
“Është një takim që e keni ju në vazhdimësi të gjithë operatorët turistikë të Lezhës dhe Prishtinës janë në kontakte të vazhdueshme, çështja është që këto takime duhet të shërbejnë për vërejtje të ndërsjella se si mund të forcohen më tepër se si ne të arrijmë që të shmangim ato problematika të vogla që ekzistojnë në mënyrë që të arrijmë maksimumin e bashkëpunimit. Shifrat flasin se që nga viti në vit ka rezultate dhe për ne është shumë e rëndësishme që Shëngjini, Tale pse jo edhe Velipoja meqenëse kanë afërsi më të madhe me Kosovën të zgjasin sezonin turistik. Tashmë nuk kemi dimra të egër por kemi vjeshta të buta. Të shikojmë mundësi që edhe nga Lezha kompani turistike tjera të promovojnë bukuritë që ka Prishtina dhe Kosova”, deklaroi Minxhozi.
Delegacioni i Bashkisë së Lezhës në kuadër të kësaj vizite do të zhvillojë takim edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
E paraditen e sotme vizitat falënderuese i kanë nisur në komunën e Prishtinës, ku takuan edhe të parin e kryeqytetit kosovar, Përparim Rama./B.Ibishi/