Ndershmëri, një vajzë e mitur dorëzon kuletën e gjetur me para në Mitrovicë
Lajme
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
Ndershmëri, një vajzë e mitur dorëzon kuletën e gjetur me para në Mitrovicë
Një vajzë e mitur në Mitrovicë ka dhënë shembull të ndershmërisë dhe përgjegjësisë qytetare, pasi ka dorëzuar në Polici një kuletë të gjetur me dokumente personale dhe 2 mijë euro.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur të enjten rreth orës 19:00, kur e mitura është paraqitur në Stacionin Policor Mitrovicë Jugu me kuletën që kishte gjetur në rrugën “Lah Nimani”.
Pas pranimit të kuletës, zyrtarët policorë kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme për identifikimin e pronarit, duke u bazuar në dokumentacionin e gjetur brenda saj. Pas verifikimeve përkatëse, kuleta së bashku me shumën e parave i është kthyer pronarit.
Pronari ka shprehur mirënjohje për gjestin e vajzës, duke e vlerësuar veprimin e saj si shembull të ndershmërisë. Ai ka falënderuar gjithashtu zyrtarët policorë për angazhimin dhe profesionalizmin e treguar në trajtimin e rastit.
Policia e Kosovës e ka vlerësuar lart këtë veprim qytetar, duke falënderuar të miturën për përgjegjësinë dhe integritetin e treguar.
Sipas Policisë, veprime të tilla përbëjnë shembuj pozitivë për shoqërinë dhe ndikojnë në forcimin e besimit dhe bashkëpunimit ndërmjet qytetarëve dhe institucioneve të sigurisë.