Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka përkujtuar 147 shqiptarët e vrarë 25 vjet më parë në Izbicë të Skenderajt, në njërën prej masakrave e krimeve më të rënda të shtetit të Serbisë. Kurti në një postim në Facebook ka thënë se në përpjekje të fshehjes së krimit, vrasja e tyre u pasua me rrëmbim kufomash, me zhvarrosje dhe dërgim në varreza masive në Serbi. “Nevojitet e vërteta që të mund të mbyllen varret. Është e domosdoshme drejtësia që të mund të na mbyllen plagët,” shkruan ai.
Edhe 25 vjet pas këtij krimi askush nga autorët dhe ekzekutuesit serbë nuk doli para drejtësisë vendore dhe asaj ndërkombëtare. Kurti tha se Prokuroria e Shtetit e ka mbështetjen e plotë të Qeverisë së Kosovës që kriminelët e luftës të marrin dënimin e merituar për vrasjet e shqiptarëve gjatë luftës 1998-99.