Ndahet paga e 13-të për punëtorët e sektorit publik, këto kategori do të përfitojnë
Lajme
Lexohet për: 3 min.
Dëgjoje me zë...
Ndahet paga e 13-të për punëtorët e sektorit publik, këto kategori do të përfitojnë
30/03/2026 - 09:54
Linku u kopjua
Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për dhënien e pagës së trembëdhjetë për punonjësit e sektorit publik, raporton KosovaPress.
Ekzekutivi në mbledhjen e sotme i dha dritën e gjelbër, siç thanë, një zotimi elektoral në zgjedhjet e fundit.
Kryeministri Albin Kurti tha se vendimi është marrë duke ruajtur qëndrueshmërinë fiskale dhe menaxhimin e përgjegjshëm të buxhetit të shtetit.
“Ky vendim është një shprehje konkrete e mirënjohjes të kontributit të tyre në funksionimin e institucioneve dhe ofrimin e shërbimeve për qytetarë. Siç kemi premtuar, po e realizojmë këtë zotim duke dëshmuar se përgjegjësia ndaj punëtorëve kthehet në veprime konkrete. Pagesa e 13-të kontribuon në mirëqenien e familjes së tyre dhe lehtëson barrën financiare. Njëkohësisht, ky hap kontribuon në rritjen e motivimit dhe dinjitetit në shërbimin publik. Vendimi është marrë duke ruajtur qëndrueshmërinë fiskale dhe menaxhimin e përgjegjshëm të buxhetit të shtetit”, tha ai.
Arsyetimin e vendimit e bëri ministri i Financave, Hekuran Murati, i cili sqaroi se kush dhe si do të merret paga e trembëdhjetë në sektorin publik.
“Kanë qenë disa raste kur është shikuar se si të zbatohet në mënyrën më të mirë të mundshme. Është rasti i të gjithë atyre personave që kanë dymbëdhjetë muaj të plotë në sektorin publik dhe marrin pagën e 13-të të plotë. Ajo është e barabartë në vlerën e koeficientit e shumëzuar me njësinë e koeficientëve që kanë pozitat përkatëse për personin që është në listën e pagave në muajin mars. Kemi hasur raste ku ka situata që nuk i kanë përmbushur të gjithë 12 muajt, jemi dakorduar me Thesarin që për këta persona që nuk i kanë përmbushur 12 muaj të plotë të jepet pjesa e pjesshme. Për aq muaj sa kanë qenë të angazhuar në këta 12 muajt e fundit, të jepet proporcionalisht një pjesë e pagës së trembëdhjetë. Ngjashëm veprohet edhe me ata që punojnë me orar të shkurtuar dhe jo të plotë. Edhe në këto raste do të merret mesatarja e pagës së marrë në këta 12 muajt e fundit. Njëkohësisht, jemi kujdesur për gratë lehona që janë ose kanë qenë në pushim të lehonisë përgjatë kësaj periudhe 12-mujore; muajt e kaluar të pushimit të lehonisë t’u njihen sikurse muaj që kanë punuar me orar të plotë”, theksoi Murati.