Ndahet nga jeta Sandra Day O'Connor, gruaja e parë anëtare e Gjykatës së Lartë në SHBA
Lexohet për: 5 min.
11 muaj më parë
Linku u kopjua

Ish-anëtarja e Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara, Sandra Day O'Connor, një zë i palëkundur i konservatorizmit të moderuar dhe gruaja e parë që shërbeu në gjykatën më të lartë të vendit, vdiq të premten në moshën 93-vjeçare.

O'Connor vdiq në Feniks, nga komplikimet që lidhen me demencian dhe një sëmundje të frymëmarrjes, tha Gjykata e Lartë në një njoftim për shtyp.

Kryetari i Gjykatës së Lartë John Roberts tha përmes një deklarate se “Gruaja nga pjesa jugperëndimore e Amerikës, Sandra Day O'Connor la gjurmë historike si gjykatësja e parë femër e vendit tonë”.

“Ajo punoi me vendosmëri, aftësi të padiskutueshme dhe angazhim të sinqertë”, tha ai.

Në vitin 2018, ajo njoftoi se ishte diagnostikuar me “fazat fillestare të demencisë, me gjasë e shkaktuar nga sëmundja e Alzheimerit”. Burri i saj, John O'Connor, vdiq nga pasojat e të njëjtës sëmundje në 2009.

Në Gjykatën e Lartë, ndikimi i saj ishte i theksuar në vendimet e gjykatës për abortin, çështja më përçarëse me të cilat u përballën gjykatësit.

O'Connor nuk pranoi t'i lejojë shtetet të shpallin të jashtëligjshëm shumicën e ligjeve të abortit, duke refuzuar në vitin 1989 të bashkohet me katër gjyqtarë të tjerë që ishin gati të anulonin vendimin historik të vitit 1973 Roe kundër Wade, që e bëri abortin të drejtë kushtetuese.

Më pas, në vitin 1992, ajo ishte pjesë e shumicës prej pesë anëtarëve të Gjykatës së Lartë, që riafirmuan vendimin e vitit 1973 për abortin.

“Disa e konsiderojnë abortin një ofendim të parimeve të tyre, por kjo nuk mund të ndikojë mbi vendimin tonë”, tha O'Connor në gjykatë, duke lexuar një përmbledhje të vendimit të vitit 1992. “Detyrimi ynë është të përcaktojmë lirinë e të gjithëve, jo të fusim në fuqi kodin tonë moral”, shtoi ajo.

Tridhjetë vjet më vonë, Gjykatë e Lartë, me një shumicë konservatore përmbysi vendimin e vitit 1973 për abortin. Vendimin e shumicës e shkroi gjykatësi Samuel Alito. Ai zëvendësoi zonjën O'Connor më 2006, pasi ajo doli në pension.

Në vitin 2000, O'Connor ishte pjesë e shumicës në një votim që i dha fund zgjedhjeve të debatueshme presidenciale të vitit 2000 në favor të kandidatit republikan George Bush, i cili ishte në garë me rivalin e tij demokrat Al Gore.

Një nga veprimet e saj të fundit si gjyqtare ishte vota kundër vendimit të Gjykatës së Lartë për të lejuar qeveritë vendore të sekuestrojnë pronat personale për të lejuar kompanitë private të ndërtojnë qendra tregtare, ndërtesa për zyra dhe objekte të tjera.

Ajo paralajmëroi se shumica e gjyqtarëve vendosi në mënyrë të pamatur duke u dhënë akoma më shumë pushtet entiteteve të fuqishme. 

O'Connor, të cilën komentuesit dikur e quanin gruaja më e fuqishme e vendit, mbeti gruaja e vetme anëtare e Gjykatës së Lartë amerikane deri në vitin 1993, kur presidenti Bill Clinton emëroi gjykatësen Ruth Bader Ginsburg, diçka që ajo e priti me kënaqësi dhe lehtësim.

Gjykata aktualisht ka katër gjyqtare, numrin më të madh të grave anëtare në historinë e saj.

Gjatë punës si anëtare e Gjykatës së Lartë, O'Connor në përgjithësi favorizonte shtetet në mosmarrëveshjet që kishin me qeverinë federale. Ajo shpesh mbante anën e policisë kur ata përballeshin me pretendime për shkelje të të drejtave të njerëzve.

Në vitin 1985, ajo e shkroi vendimin e gjykatës pasi u vendos që rrëfimi i një të dyshuari kriminal, të cilit i janë lexuar fillimisht të drejtat e tij, mund të përdoret si provë gjatë gjykimit edhe nëse policia ka shkelur të drejtat e të dyshuarit ndërsa ishte marrë në pyetje më parë.

O'Connor ishte 51-vjeç kur ajo iu bashkua gjykatës duke zëvendësuar Potter Stewart që kishte dalë në pension. Një e panjohur në skenën kombëtare deri në emërimin e saj, ajo kishte shërbyer si gjykatëse e shtetit të Arizonës dhe para kësaj si anëtare e legjislaturës së shtetit të saj.

Ajo ishte diplomuar më rezultate të larta në fakulteti juridik të Universitetit të Stanfordit, në vitin 1952. O'Connor tha se shumica e firmave të mëdha ligjore atëkohë nuk punësonin gra, ndërsa ajo e filloi karrierën si sekretare.

Në fund të vitit 1988, O'Connor u diagnostikua me kancer të gjirit dhe iu nënshtrua një operacioni për heqjen e gjirit. Gjatë kësaj kohe ajo nuk doli në punë vetëm për dy javë. /ZeriiAmerikës


Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024