NATO thotë se rebelimi i Wagnerit tregoi gabimin e Moskës për sulm ndaj Kievit
Lexohet për: 3 min.
stotlenberg
1 vit më parë
Linku u kopjua

Rebelimi i ndërprerë i grupit mercenar rus Wagner në fundjavë, e ka demonstruar shkallën e gabimit strategjik të Kremlinit kur e ka nisur luftën në Ukrainë, ka thënë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

Rusia ka tentuar të rikthejë qetësinë të hënën, pasi luftëtarët e Wagnerit e kanë ndërprerë avancimin drejt Moskës, janë larguar prej qytetit të kapur rus Rostov-on-Don dhe janë nisur drejt bazave të tyre në orët e vona të së shtunës, pas arritjes së një marrëveshjeje që u garanton siguri.

Sipas marrëveshjes - të ndërmjetësuar nga lideri bjellorus, Alexander Lukashenka - komandanti i tyre, Yevgeny Prigozhin, duhet të shkojë në Bjellorusi.

“Ngjarjet e fundjavës janë një çështje e brendshme dhe një tjetër demonstrim i një gabimi të madh strategjik që presidenti (Vladimir) Putin e ka bërë kur e ka nisur aneksimin e Krimesë dhe luftën në Ukrainë”, ka thënë Stoltenberg nga kryeqyteti i Lituanisë, raporton Radio Evropa e Lirë.

Konfuzioni për ngjarjet e jashtëzakonshme të fundjavës i ka lënë qeveritë e Perëndimit në kërkim të përgjigjeve se çfarë mund të ndodhë në këtë shtet me arsenal të fuqishëm bërthamor – dhe me luftën që vazhdon të zhvillohet në Ukrainë.

Stoltenberg ka thënë se NATO është duke e monitoruar situatën në Bjellorusi dhe e ka dënuar vendimin e Moskës për të dërguar armë bërthamore atje.

“Ne nuk kemi parë shenja që Rusia është duke u përgatitur për t'i përdorur armët bërthamore, mirëpo NATO  mbetet vigjilente”, ka thënë Stoltenberg, duke shtuar se mbrojtja e NATO-s është mjaftueshëm e fuqishme për t’i mbajtur njerëzit të sigurt “në një botë të rrezikshme”.

Në të njëjtën kohë, Stoltenberg e ka ritheksuar mbështetjen e vazhdueshme të NATO-s për Kievin.

“Nëse Rusia mendon se mund të na frikësojë nga ofrimi i ndihmës në Ukrainë, do të dështojë”, ka thënë ai.

“Ne do të jemi afër Ukrainës sa të ketë nevojë”.

Stoltenberg ka qenë në Lituani për t’i parë nga afërt stërvitjet e NATO-s.

Ai ka thënë se stërvitjet dërgojnë mesazh të qartë se NATO është e gatshme të mbrojë çdo inç të aleancës.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt 2022.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./REL

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025