Boksieri kosovar nga Deçani Kushtrim Tahirukaj është ndeshur kundër boksierit nga Bosnja e Hercegovina Milos Janjanin (30) në kategorinë super e mesme. Tahirukaj, i mbështetur nga tifozë të shumtë shqiptarë në sallën “Neue Sporthalle”, dominoi përgjatë duelit dhe ishte shumë më i mirë dhe i përgatitur, duke dhënë goditje kundërshtarit, të cilin edhe arriti ta rrëzojë në raundin e katërt. Kjo është fitorja e tij e gjashtë nga po aq duele në boksin profesional, prej tyre dy me nokaut. Ndërsa Milos Janjanin ka 16 fitore, prej tyre 13 me nokaut, 56 humbje dhe asnjë barazim. Në ringun e palestrës “Neue Sporthalle” sonte do të ngjitet edhe shqiptari tjetër i lindur në Gjermani Isuf Kelmendi, i cili për kundërshtar do të ketë hungarezin Pal Olah. Kelmendi ka tri duele dhe po aq fitore, ndërsa hungarezi 9 fitore, 59 humbje dhe katër barazime. Në Augsburg të Gjermanisë po zhvillohet “Nata luftarake e kampionëve”, ku Robin Krasniqi (37) do të përballet me portugezin Jorge Silva (40), në duelin e tij të parë për këtë vit. Krasniqi nga 60 duele, ka 53 fitore, prej tyre 20 me nokaut dhe shtatë humbje. Ndërsa portugezi ka 22 fitore, prej tyre 12 me nokaut dhe nëntë humbje.