Nancy Pelosi: Protestat e paqes në Gaza mund të lidhen me Rusinë
Lexohet për: 2 min.
Pelosi
11 muaj më parë
Linku u kopjua

Ish-kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së Nancy Pelosi tha se disa protesta në Shtetet e Bashkuara që kërkojnë një armëpushim në Gaza mund të lidhen me Rusinë dhe se FBI duhet të hetojë se si po financohen ato.

Pelosi e tha këtë në një intervistë për CNN, por ajo nuk dha asnjë provë për pretendimet.

Ajo u pyet nëse kundërshtimi ndaj politikave të presidentit Joe Biden për luftën në Gaza mund të dëmtojë demokratët në zgjedhjet presidenciale të nëntorit.

"Thirrja e tyre për një armëpushim është një mesazh nga presidenti rus, zoti Putin. Le të mos tallemi, kjo lidhet drejtpërdrejt me atë që ai do të donte të shihte," tha Pelosi.

"Unë mendoj se disa nga këto protesta janë spontane, të natyrshme dhe të sinqerta. Disa, mendoj se janë të lidhura me Rusinë. Disa nga financimet duhet të hetohen dhe unë dua t'i kërkoj FBI-së ta hetojë këtë," shtoi ajo.

Pelosi është ligjvënësi i parë i shquar amerikan që akuzon liderin rus për mbështetjen e protestave amerikane që bëjnë thirrje për armëpushim.

Protestat që bëjnë thirrje për një armëpushim në Gaza kanë shpërthyer së fundmi në të gjithë SHBA-në, duke përfshirë pranë aeroporteve dhe urave në Nju Jork dhe Los Anxhelos, si dhe në Uashington përballë Shtëpisë së Bardhë. Demonstruesit ndërprenë fjalimet e Biden dhe ngjarjet në të cilat ai mori pjesë.

Protestat u organizuan nga një gamë e gjerë grupesh të të drejtave të njeriut dhe organizata hebre dhe kundër luftës.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025