Partia Demokratike e Kosovës do të jetë fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit, thotë kandidati për deputet i kësaj partie, Nait Hasani, i cili në listën zgjedhore mban numrin 42 - aq vjet sa është pjesë e politikës. Një prej prioriteteve të tij si deputet i legjislaturës së ardhshme, është të adresojë shqetësimet që lidhen me Gjykatën Speciale në Hagë.
“Unë do t’i adresojë këto çështje në Kuvend dhe do të kërkojë nga kryeministri që përmes diplomacisë kudo që janë misionet tona diplomatike të shkruajnë shkresa dhe të dërgojnë dokumente që UÇK-ja është e pastër dhe akuzohet padrejtësisht”, thotë Hasani në një intervistë për KosovaPress.
Hasani, një ish i burgosur politik, thotë se kryeministri i ardhshëm i Kosovës duhet t’i tregojë Parlamentin Evropian, dhe deri te SHBA-ja, që gjykimi ndaj UÇK-së është padrejtësi.
Duke folur për proceset gjyqësore në Hagë, Hasani thotë se akuzat nga Specialja janë fabrikime nga Serbia të cilat po gjykojnë luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.“Një fokusim tjetër do të jetë çështja e Gjykatës Speciale, ku krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, shokët dhe bashkëluftëtarët e mi janë atje padrejtësisht me akuza nga Serbia. Akuza të bëra nga shqiptarë shqipfolës. Atje nuk është Hashim Thaçi, atje po dëshirojnë të gjykojnë autoritetin dhe UÇK-në. Atje po dëshirojnë ta gjykojnë presidentin e Kosovës, duke gjykuar atë, duan ta gjykojnë të gjithë UÇK-në dhe shtetin e Kosovës. Unë do t’i adresojë këto çështje në Kuvend dhe do të kërkojë nga kryeministri që përmes diplomacisë kudo që janë misionet tona diplomatike të shkruajnë shkresa dhe të dërgojnë dokumente që UÇK-ja është e pastër dhe akuzohet padrejtësisht. Në anën tjetër, kryeministri vet, Bedri Hamza duhet të kërkojë nga Parlamenti Evropian deri te ShBA-ja që është padrejtësi që i bëhet gjykimit të UÇK-së”, deklaron Hasani.
Hasani, ndër të tjera, thotë se me Bedri Hamzën kryeministër do të rriten pagat 50 për qind për sektorin publik si dhe do të trajtohen me dinjitet pensionistët si dhe kategoritë e dala nga lufta.
“Fokusimi është te marrëdhëniet ndërkombëtare. Janë lëkundur të gjitha marrëdhëniet ndërkombëtare gjatë kohës 5 vjeçare të qeverisë Kurti. Janë vënë sanksione, kjo është më e rënda e mundshme deri tash. Aleatët që na kanë mbështetë të çlirohemi nga Serbia ato kanë vendosur sanksione. Me të vendos Shtetet e Bashkuara sanksione është gjë e rëndë. Duhet të shohësh vetën dhe ta analizosh ku je. Një superfuqi botërore të ka vendos sanksione, Bashkim Evropian të ka vendosur sanksione. Cilat janë arsyet? Nga arroganca politike. Prandaj kërkohet nga qytetarët që me votë të dënojnë këtë arrogancë”, shton ai.
“Gjithnjë kemi pas qëllimin dhe idealin që të ofrohemi dhe bashkohemi me Shqipërinë. Lufta jonë ka qenë e tillë për një afrim dhe bashkim, por në rrethana politike ka ardh kjo gjendje. Tani jemi dy shtete por një komb, neve na duhet të afrojmë arsimin, kurrikulat, historinë e njëjtë, muzikën e njëjtë, gjeografinë e njëjtë dhe të gjitha këto mundemi t’i bëjmë bashkë. Ky është afrim i kombit dhe bashkim i kombit. Tani është bashkimi ekonomik dhe ai politik. Edhe kur kam qenë si ambasador kemi bërë përpjekje që përmes ligjeve t’i afrojmë, por akoma kemi mbetur prej vitit 2010 kur është bërë një abetare dhe s’ka një zhvillim. Në momentin kur dy kryeministrat i kanë ftohur mos të them i kanë ngrirë atëherë ka ardhur një pozicion i pafavorshëm. Sot për sot duket sikur dy të kundërta që shkojnë në anë të kundërt dhe jo dy që afrohen. Prandaj kërkohet ndryshimi i politikës në raport me Shqipërinë”, deklaron Hasani.
Hasani i cili përgjatë 42 vjetëve të fundit ka qenë pjesë e politikës thotë se përvojën e tij do ta shfrytëzojë për konsolidimin e Kosovës, si në rrafshin e brendshëm ashtu edhe ndërkombëtarë.