Nagavci: Kompensim do të ketë për punën e bërë
Lexohet për: 3 min.
1.Arberie-Nagavci-5
2 vite më parë
Linku u kopjua

Ministrja e Arsimit Arbërie Nagavci ka thënë se, ata që janë dëmtuar më së shumti nga greva e organizuar nga SBASHK, janë nxënësit, fëmijët tanë.

“Ligji duhet të respektohet në tërësi, ne kemi premtuar për këtë dhe premtimet tona i mbajmë. Kemi marrë mandatin për të hartuar politikat e për t’i realizuar ato dhe s’do të ndalemi”, ka shkruar Nagavci në Facebook.

Ajo ka kujtuar po ashtu se, për më shumë se një vit, janë zhvilluar dhjetëra takime me kryesinë e SBASHK-ut, i kemi lutur të mos marrin hapa të pamenduar pasi si Qeveri kemi adresuar shumë shqetësime të mësimdhënësve, kemi miratuar politika të reja e rritur buxhetin për arsim. “Asnjë vëmendje e kujdes në këtë drejtim, përkundrazi një muaj grevë, shumë dëme për fëmijët, asnjë kujdes nga punëdhënësit, shumë zhurmë nga ata që kanë përgjegjësi për gjendjen në të cilën ndodhet arsimi”, ka theksuar Nagavci.

Postimi i plotë:

Ndonëse komunat janë përgjegjëse për organizimin e arsimit parauniversitar, janë punëdhënëse dhe e kanë obligim të raportojnë çdo muaj në Departamentin e Thesarit në Ministri të Financave, një gjë të tillë nuk e kanë bërë. 

Me kërkesë të ministrit të financave, Hekuran Murati, i kemi dërguar ato të dhëna që i kemi pasur të inspektorëve dhe zyrtarëve të MASHTI nga vizitat gjatë muajit shtator, në shkolla e çerdhe, me qëllim të realizimit të pagave për ta.

Ata që janë dëmtuar më së shumti nga greva e organizuar nga SBASHK, janë nxënësit, fëmijët tanë.

Për më shumë se një vit, kemi zhvilluar dhjetëra takime me kryesinë e SBASHK-ut, i kemi lutur të mos marrin hapa të pamenduar pasi si Qeveri kemi adresuar shumë shqetësime të mësimdhënësve, kemi miratuar politika të reja e rritur buxhetin për arsim.

Kemi diskutuar me Kryesinë e SBASHK-ut se a do të kompensojë sindikata pagat e mësuesve ashtu siç ndodhë në shumicën e vendeve tjera dhe meqë ligji ndalon kompensimin për punën e pakryer.

Asnjë vëmendje e kujdes në këtë drejtim, përkundrazi një muaj grevë, shumë dëme për fëmijët, asnjë kujdes nga punëdhënësit, shumë zhurmë nga ata që kanë përgjegjësi për gjendjen në të cilën ndodhet arsimi.

Dhjetëra takime me vullnet të njëanshëm, me përpjekje të njëanshme për rezultate të synuara që të jenë të përbashkëta.

Ligji duhet të respektohet në tërësi, ne kemi premtuar për këtë dhe premtimet tona i mbajmë. Kemi marrë mandatin për të hartuar politikat e për t’i realizuar ato dhe s’do të ndalemi.

Sot  publikojmë Kalendarin e rishikuar për vitin shkollor për 22 ditë të humbura të mësimit.

Rezultatet në arsim do t’i përmirësojmë. Bashkëpunimi e dialogu social do të vazhdojë, me parime e korrektësi, në interesin më të mirë të fëmijëve.

Kompensim do të ketë. Kompensim për punën e bërë.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024