Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka bërë të ditur se presidentja Vjosa Osmani ka refuzuar 30 nënshkrimet e ofruara nga LVV për kandidimin e saj për presidente të Republikës së Kosovës.
Në konferencë për media, shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Nagavci, ka theksuar se në mungesë të një kandidati konsensual, secili subjekt politik duhet të propozojë kandidatin e vet për të përmbushur obligimin kushtetues dhe për të mundësuar një garë të rregullt.
LVV ka shpallur mbështetjen për nënkryetarin e Lëvizjes, zëvendëskryeministrin e parë dhe ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, Nagavci e cilësoi si një nga figurat më të votuara dhe me mbështetje të gjerë qytetare.
“Në mungesë të një kandidati konsensual, rruga tjetër ka qenë që secili subjekt politik të propozojë nga një kandidat në përmbushje edhe të obligimit Kushtetues. Si LVV sonte kemi deklaruar mbështetjen tonë për nënkryetarin e Lëvizjes, zëvendëskryeministrin e parë, dhe ministrin e punëve të Jashtme të Diasporës, Glauk Konjufca, njeriun e dytë më të votuar në historinë e vendit, dhe një figurë e cila gëzon mbështetje të plotë qytetare, dhe po ashtu që ka një mbështetje të mqadhe edhe te Grupi jonë Parlamentar, tek Lëvizja, por mbi të gjitha një mbështetje të madhe qytetare. Kandidati që gëzon mbështetjen më të madhe për të siguruar votat në Kuvend. Konjufca edhe si kryetar i kuvendit, ka qenë autoriteti kryesor, unifikues i unitetit politik. Ne e kemi kandidatin tonë, dhe tani presim edhe nga subjektet tjera politike, nga PDK dhe LDK që të paraqesin kandidaturat e tyre në mënyrë që të përmbushin kriterin kushtetues për të paktën dy kandidat të cilët do të garojnë për pozitën e presidentit”, ka deklaruar Nagavci.“Ndërkohë edhe kryeministri po punon intensivisht për të tejkaluar këtë proces në mënyrë që të funksionalizojmë dhe të përfundojmë, përmbyllim suksesshëm zgjedhjen e presidentit dhe të shmangim zgjedhjet e reja”, ka nënvizuar Nagavci.