Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci ka thënë se presidentja Osmani nuk ka të drejtë diskrecionale për ndërhyrje në funksionimin e pushtetit legjislativ, sipas saj as të merr vendime që çojnë në shpërndarjen e Kuvendit.
Çdo veprim jashtë kufijve të Kushtetutës, sipas Nagavcit është tejkalim i kompetencave kushtetuese dhe cenim i parimit themelor të ndarjes së pushteteve të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Nagavci shkroi se LVV ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese që të vendosë masë të përkohshme për pezullimin e dekretit të Presidentes Osmani deri në nxjerrjen e aktgjykimit përfundimtar.
“Njëkohësisht kemi kërkuar nga Gjykata që të vendosë masë të përkohshme për pezullimin e këtij dekreti, deri në nxjerrjen e aktgjykimit përfundimtar. Është e qartë se Presidentja e Republikës nuk ka të drejtë diskrecionale për të ndërhyrë në funksionimin e pushtetit legjislativ, e aq më pak për të ndërmarrë veprime që çojnë në shpërndarjen e Kuvendit. Roli i Presidentit në këtë proces është strikt i kushtëzuar dhe aktivizohet vetëm në rrethanat e përcaktuara qartë nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Çdo veprim jashtë këtyre kufijve përbën tejkalim të kompetencave kushtetuese dhe cenim serioz të parimit themelor të ndarjes së pushteteve, të sanksionuar në nenin 4, paragrafi 1, të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, shkroi ajo.“Në një shtet demokratik, asnjë institucion dhe asnjë bartës i funksionit publik nuk mund të veprojë mbi Kushtetutën apo jashtë saj. Përpjekjet për të ushtruar kompetenca që nuk janë të përcaktuara qartë me Kushtetutë jo vetëm që dëmtojnë rendin kushtetues, por rrezikojnë edhe vetë funksionimin demokratik të institucioneve. Presim që Gjykata Kushtetuese ta trajtojë këtë çështje me prioritet dhe të japë sa më shpejt një vendim, në mënyrë që të parandalohet çdo cenim i mëtejmë i rendit kushtetues dhe i parimit të ndarjes së pushteteve”, theksoi Nagavci.
Shefja e GP-së së LVV-së, Arbërie Nagavci pret nga Gjykata Kushtetuese që ta trajtojë këtë çështje me prioritet, në mënyrë që të parandalohet çdo cenim i rendit kushtetues dhe i parimit të ndarjes së pushteteve. /A. Shala/