Drejtori i Muzeut Historik dhe Etnografik Krujë, Mehdi Hafizi, tha sot për ATSH-në se “në muajt janar-korrik muzeu pati një numër të lartë vizitorësh, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në gati 7 muaj dy muzetë u vizituan nga 30 mijë vizitorë, 40% më shumë se në 2021-shin”.
Sipas tij, turistët e huaj janë polakë, spanjollë, izraelitë, francezë, amerikanë, egjiptianë, danezë, suedezë, etj. “Këtë vit vihet re një rritje e konsiderueshme e turistëve spanjollë në Muzeun Gjergj Kastrioti Skënderbeu në Krujë, të cilët bashkë me polakët përbëjnë dhe numrin më të madh të turistëve të huaj, që kanë vizituar muzeun gjatë këtij viti”, shton Hafizi.Muzeu Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” u përurua më 1 nëntor 1982 në kështjellën e Krujës. Ky muze ka edhe karakterin e një memoriali që trajtohet si kullë shqiptare e Veriut. Kompleksi i muzeut është shpërndarë në disa hapësira, të cilat vizitohen kronologjikisht sipas ngjarjeve. Në këtë muze ndodhen objekte që i përkasin periudhave të ndryshme historike, por në disa pavijone trajtohet historia e Mesjetës së Hershme, principatat shqiptare, pushtimi osman dhe betejat e shqiptarëve për të përballuar këtë pushtim.
Muzeu Etnografik i Krujës ndodhet brenda kalasë së Krujës. Ky muzeu është ngritur në shtëpinë e familjes së Toptanëve, e cila është një ndërtesë e tipit “çardak” e vitit 1764. Banesa është monument kulture i kategorisë I. Në mjediset e brendshme, si edhe objektet e paraqitura në mjediset e jashtme, jepet një pamje e plotë i zejeve të ushtruara në Krujë dhe në të gjithë Shqipërinë, si edhe i mënyrës së jetesës duke filluar që 300 vjet përpara. Plot 90 % e objekteve të këtij muzeu janë origjinale dhe 100 % janë funksionale./ATSH/