Matt Gaetz tërhiqet nga emërimi për postin e prokurorit të përgjithshëm
Bota
Lexohet për: 2 min.
Matt Gaetz tërhiqet nga emërimi për postin e prokurorit të përgjithshëm
1 muaj më parë
Linku u kopjua

Ish-ligjvënësi Matt Gaetz tërhoqi sot emrin e tij nga emërimi për postin e prokurorit të përgjithshëm nga presidenti i zgjedhur Donald Trump, duke thënë se procesi i konfirmimit të tij është shndërruar në një shpërqendrim.

Ai në rrjetin X njoftoi se pati takime të shkëlqyera një ditë më parë me senatorët dhe shprehu vlerësimin për mendimet e tyre dhe mbështetjen.

Gaetz shton se është bërë megjithatë e qartë se konfirmimi ishte shndërruar në mënyrë të padrejtë në një shpërqendrim për punën jetike të ekipit të tranzicionit për administratën e ardhshme.

Ai mendon se kjo është arsyeja që po e tërheq emrin e tij nga shqyrtimi për postin e prokurorit të përgjithshëm që në SHBA ka funksionet e ministrit të drejtësisë.

Komisioni i Etikës i Dhomës së Përfaqësuesve mbrëmë nuk arriti të bjerë dakord nëse duhet ta publikonte ose jo raportin e tij hetimor për ish-ligjvënësin Gaetz, i akuzuar për abuzim seksual dhe përdorim droge, përpara se të emërohej në postin e prokurorit të përgjithshëm.

Njoftimi i Gaetz u bë gjithashtu dy ditë pasi një avokat i dy grave tha se klientet e tij i kishin thënë hetuesve të Komisionit të Etikës se Gaetz i pati paguar për marrëdhënie seksuale në disa raste, duke filluar nga viti 2017 kur ai ishte ligjvënës i Floridës.

Gaetz ka mohuar të ketë bërë shkelje dhe tha vitin e kaluar se hetimi i Departamentit të Drejtësisë kishte përfunduar pa asnjë akuzë federale të ngritur ndaj tij. Gaetz fitoi rizgjedhjen në nëntor për Kongresin e ri, i cili mblidhet më 3 janar 2025, por është e paqartë nëse do ta merr detyrën e re. /VoA

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024