Muzeu i Mitrovicës, pjesë e Rrjetit evropian të muzeve NEMO
Lajme
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
Muzeu i Mitrovicës, pjesë e Rrjetit evropian të muzeve NEMO
Muzeu1234
27/02/2026 - 20:24
Linku u kopjua

Muzeu i Qytetit të Mitrovicës është pranuar zyrtarisht si anëtar i Network of European Museum Organisations (NEMO), duke u bërë pjesë e një prej rrjeteve më të rëndësishme evropiane të muzeve dhe organizatave muzeale. Ky zhvillim shënon një hap të rëndësishëm drejt ndërkombëtarizimit të skenës muzeale në Kosovë.

Muzeu i Qytetit të Mitrovicës është institucion publik komunal kulturor që vepron në kuadër të Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, me mision ruajtjen, hulumtimin dhe prezantimin e trashëgimisë historike e kulturore përmes ekspozitave, programeve edukative dhe aktiviteteve që synojnë përfshirjen e komunitetit.

Drejtoresha e muzeut, Nora Prekazi, ka thënë për KosovaPress se ky anëtarësim përfaqëson një njohje të rëndësishme ndërkombëtare për institucionin.

“Pranimi i Muzeut të Mitrovicës në Network of European Museum Organisations është një moment shumë i rëndësishëm për institucionin tonë dhe për skenën muzeale në vend. Kjo është një njohje ndërkombëtare e punës sonë dhe një hap konkret drejt integrimit në rrjetet profesionale evropiane”, ka deklaruar Prekazi.

Ajo ka theksuar se ky zhvillim hap mundësi të reja bashkëpunimi dhe ngritje të standardeve profesionale.

“E shohim këtë si një mundësi për të forcuar vizionin tonë si ‘Muze për të gjithë’, për të zgjeruar bashkëpunimet ndërkombëtare dhe për të ngritur standardet profesionale në shërbim të komunitetit. Njëkohësisht, shpresojmë për më shumë përkrahje institucionale për të siguruar një seli të përhershme dhe infrastrukturë të përshtatshme fizike për muzeun,” ka shtuar ajo.

Anëtarësimi në këtë rrjet evropian vlerësohet si një hap i rëndësishëm drejt forcimit të rolit të muzeut në jetën kulturore dhe edukative të vendit.


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026