Mustafa: Deri tani s’ka asnjë emër zyrtar për president
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
Mustafa: Deri tani s’ka asnjë emër zyrtar për president
Besina1234
03/03/2026 - 15:11
Linku u kopjua

Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, nuk ka bërë asnjë propozim zyrtar për president të vendit, tha zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa.

Ai, pas mbledhjes së Grupit Parlamentar të LDK-së, duke folur për takimin e sotëm të Lumir Abdixhikut me Albin Kurtin, tha se zgjedhjet e reja janë të evitueshme dhe të shmangshme.

Sipas tij, kryeministri, njëherësh lideri i LVV-së, Albin Kurti, nuk i ka paraqitur asnjë emër zyrtar për president Abdixhikut, përkundër që u raportua gjatë ditës se është propozuar emri i Glauk Konjufcës.

“Qëndrimi dhe mendimi i përbashkët është se zgjedhjet janë të evitueshme dhe të shmangshme në këtë fazë të Republikës sonë. LDK-ja, siç kemi shprehur më parë, jemi të gatshëm të kontribuojmë në zgjedhjen e presidentit në dy drejtime. E para, një kandidat që vjen si pajtueshmëri nga të gjitha partitë politike dhe e dyta, një marrëveshje politike klasike e dy partive, në këtë rast e pushtetit dhe LDK-së”, tha ai.

Zëdhënësi i LDK-së nuk tregoi nëse e mbështesin edhe për një mandat të dytë Vjosa Osmanin në krye të vendit.

“Deri tani nuk ka asnjë propozim për emra konkretë... Po flas zyrtarisht, nuk ka një propozim, zyrtarisht me tridhjetë nënshkrime në Kuvend. Deri tani s’ka asnjë propozim zyrtar formal për emër... Nuk mund të diskutojmë kandidatura individuale pasi, siç thashë, deri tash s’ka asnjë kandidaturë zyrtare që ka së paku tridhjetë nënshkrime”, shtoi Mustafa.

Në anën tjetër, Mustafa theksoi se grupi parlamentar i tyre është unik dhe si i tillë do të veprojnë edhe në seancën për presidentin.

“Grupi Parlamentar i LDK-së është unik dhe i përbashkuar dhe ka një qëndrim të përbashkët. Ashtu siç vendosim bashkërisht, ashtu do të veprojnë të pesëmbëdhjetët”, përfundoi Mustafa.

Krahas kësaj, Mustafa tha se mund të ketë takime të tjera në të ardhmen për çështjen e presidentit. /KosovaPress/


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026