Drejtori i Institutit Octopus Agim Musliu ka komentuar veprimet e fundit të Qeverisë së Serbisë në raport me avokatin Çedomir Stojkoviq, pasi ky i fundit qëndroi për homazhe në Prekaz dhe u ndalua në aeroportin “Nikola Tesla”.
Pas rrahjes së Nikola Sanduloviq nga BIA serbe, avokati i tij Stojkoviq vizitoi Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, si dhe vendosi kurora lulesh mbi varrin e Blerina Jasharit, vajzës shtatëvjeçare të vrarë nga forcat kriminele serbe.
Teksa kritikoi ashpër presidentin Aleksandar Vuçiq dhe politikat e tij karshi Kosovës, avokati serb në kthim për në Serbi u ndalua për katër orë për t’u marrë në pyetje në kufi.
Megjithatë, autoritetet serbe nuk vepruan njësoj me avokatin Stojkoviq sikurse me liderin opozitar Sanduloviq, të cilin e bënë për spital.
“Qeveria e Serbisë (Vuçiq) tani ka frikë nga çdo lëvizje e njeriut, i cili ka mundësi të bëjë paqe në Ballkan, avokatit dhe luftëtarit për drejtësi, Çedomir Stojkoviq”, ka shkruar Musliu në një postim në rrjetin social X.
Ndërsa, avokati Stojkoviq ka raportuar se është ndaluar në kufi duke dalë nga Serbia në aeroportin “Nikola Tesla”.
Avokati serb edhe një herë ka përkujtuar se çfarë ndodhi me Nikola Sanduloviq.
“Për të njëjtën gjë ai u rrah, u arrestua dhe u mbajt në paraburgim për 10 ditë. Nëse Joseph Goebbels do të ishte bërë kryeministër/president në vend të Konrad Adenauer-it pas Luftës së Dytë Botërore, Gjermania do të ishte sot njësoj si Serbia, ku jo pas Slobodan Millosheviq, ministri i propagandës së Millosheviq, Aleksandar Vuçiq u bë president/kryeministër”, ka shkruar avokati serb në rrjetin X.