Musliu: Serbia paraqet rrezik permanent për sigurinë e Kosovës
Lexohet për: 3 min.
octopuss
1 vit më parë
Linku u kopjua

Instituti për Studime të Luftës Hibride Octopus prezantoi analizën për sulmin terrorist serb në Banjskë, në të cilën u renditën disa fakte dhe argumente se si erdhi deri tek sulmi i 24 shtatorit, duke përfshirë edhe historikun e Serbisë që nga zanafilla e formimit të saj si shtet.

Drejtori i institutit Octopus, Agim Musliu, tha se Serbia nuk ka identitet dhe stabilitet politik, derisa shtoi se lidhja e pushtetit me krimin është e pandarë.

Musliu tha se plani për sulmin terrorist të 24 shtatorit është përgatitur në mënyrën më të sofistiluar, sa i përket armatosjes dhe pajisjeve. Ai potencoi se në qendrën e ushtrisë serbe urdhërdhënësi është Aleksandër Vuçiq, duke shtuar se këta njerëz kanë marrë pjesë në luftë në Ish-Jugosllavi, por që janë në pushtet edhe sot.

Musliu theksoi se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vucic ka përgatitur vazhdimisht terrenin propagandistik, derisa shtoi se Serbia paraqet rrezik permanent për sigurinë e Kosovës.

Ndërsa, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi tha se akti i agresionit në Banjskë ka ngritur brengën jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon. Sipas tij, ky lloj agresioni mund ta zhbëjë të gjithë progresin që Kosova dhe Serbia e kanë bërë te kaluarën, përmes dialogut.

Bislimi shtoi se raporti mes Kosovës dhe Serbisë edhe pas 11 viteve të dialogut, nuk ka shkuar drejt përafrimit, por se ka një ftohje më të madhe’.

Ai potencoi se fuqia që kanë aleatët shtetëror për të ofruar informata të gabueshme apo gjysmë të vërteta, që sipas tij, e përbën thelbin kryesor të luftës hibride, po e keqpërdor Serbia.

Ndërkaq, hulumtuesja e lartë në Ocotopus, Arta Haxhixhemajli prezantoi një pjesë nga analiza, duke treguar për prapavijën e sulmit terrorist në Basnjë të Zvecanit. Ajo foli për Listën Serbska dhe ndikimin e saj në veri.

Haxhixhemajli foli për Milan Rajdojcic, duke e potencuar si personin kryesor për vrasjen e Oliver Ovanovic. Ajo shtoi se Radojcic ka pasur mbështetjen e Vucicit për të marrë nën kontrollë veriun.

Derisa foli për Radojcic, Haxhixhemjali përmendi edhe rastin “Brezovica”, duke thënë se ky i fundit u bë subjekt i hetimit, ku që ‘nga fillimi i vitit 2022 Radojcic nuk do të bëntë më asnjë aktivitet në territorin e Republikës së Kosovës’.

Tutje, hulumtuesi i lartë në Octopus, Taulant Elshani foli për renditjen e argumenteve pse Serbia vazhdon të jetë rreziku më i madh për sigurinë kombëtarë të Republikës së Kosovës, derisa potencoi barrikadat e datës 31 korrik dhe 10 dhjetor të vitit 2022.

Përpos këtyre, Elshani përmendi sulmet ndaj KFOR-it të datës 25 maj të vitit 2023, dhe sulmit ndaj Policisë dhe gazetarëve e qytetarëve.

Ai tha se Vuçiq në forma të ndryshme ka udhëzuar Milan Radoicicin dhe strukturat ilegale serbe për te mobilizuar persona të rinj në katër komunat në veri, sipas tij për të formuar  grupin terrorist që u përfshi në sulmin terrorist te 24 shtatorit.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024