Partia Demokratike e Kosovës vlerëson se kërkesa për zgjedhje të jashtëzakonshme buron nga qytetarët të cilët e shohin çdo ditë se Lëvizja Vetëvendosje po e skandalizon shtetin. Deputetja më e zëshme e kësaj partie, Ganimete Musliu, thotë se veprimet e kryeministrit Albin Kurti në veri janë skandal, ndërsa shton se ai po punon për të shtuar sanskionet dhe jo për t’i larguar ato. Ajo flet edhe për përpjekjet e opozitës për të kundërshtuar Qeverinë e Kosovës dhe mundësinë e ngritjes së një komisioni hetimor parlamentar për zyrtaren e LVV-së, Dejona Mihalin.
Deputetja Musliu, në një intervistë për KosovaPress, deklaron se Qeveria e drejtuar nga Kurti ka humbur kredibilitetin për të qeverisur me vendin pas skandaleve të shumta.
Musliu thotë se mënyra si Kurti i pranon këto skandale është paralajmërim se të tjerat janë duke ardhur.
Partitë opozitare parlamentare si PDK, LDK dhe AAK janë kritikuar se nuk kanë koordinim për të kundërshtuar pushtetin e Lëvizjes Vetëvendosje.
Skandal e vlerëson edhe mënyrën si pretendon Qeveria për të shkuar në zgjedhje të reja për kryetarë në katër komunat veriore.
Musliu thotë për KosovaPress se përmes peticionit, Kurti dëshiron të shfajësojë veten nga gabimet që ka bërë në veri.
Musliu tha se Kurti nuk është duke punuar për të hequr masat por për t’i shtuar ato.
Javë më parë, ish-anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Florin Krasniqi, tha se Ganimete Musliu, si kryetare e Komisionit parlamentar për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, duhet të kërkojë dosjen e Dejona Mihalit, kordinatore e Komiteteve në Lëvizjen Vetëvendosje.
Sipas Musliut, tashmë janë pjekur kushtet që të ngrihet një komision hetimor parlamentar për Mihalin në mënyrë që të dihet saktësisht se kush është ajo dhe t'i tregohet qytetarëve të Republikës së Kosovës se cila është veprimtaria e Mihalit, kush e financon dhe cili është misioni dhe vizioni i saj për Kosovën.
Musliu tha se komisioni duhet të jetë profesional dhe i pavarur të prezantojë të gjeturat dhe jo të shpikë ose të jap raport hipotetike se çka mendon opozita apo kushdo tjetër./Z.Zeneli/