Musliu: Në veri mund të ketë sërish provokime nga Serbia
Lajme
Lexohet për: 2 min.
1 orë më parë
Linku u kopjua
Prapa sulmit në kanalin e Ibër-Lepencit qëndron Milan Radojiçiq, i mbështetur nga Serbia. Kështu tha kryetarja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Ganimete Musliu, e cila tregoi se një gjë e tillë është thënë nga drejtori i AKI-së, Petrit Ajeti. Në raportimin me dyer të mbyllura, ajo tregoi se është thënë që gjendja e sigurisë në Kosovë është stabile.
Pas mbledhjes së Komisionit për Mbikëqyrjen e AKI-së, deputetja Musliu theksoi se në komunat veriore ka ende provokime e tensione të nxitura nga shteti serb.
"Diskutuam për të gjitha çështjet të cilat kanë të bëjnë me sigurinë e vendit. Sa i përket raportimit të drejtorit, gjendja e sigurisë në Kosovë është stabile me provokime të mundshme nga ana e Serbisë", tha ai.
Gjatë raportimit të drejtorit të AKI-së, Musliu tha se është thënë që prapa sulmit të kanalit në Ibër-Lepenc qëndron Millan Radojiçiq.
“Në bazë të asaj se çfarë u tha nga drejtori i AKI-së në këtë takim, prapa atij sulmi qëndron Radojiçiq i mbështetur nga shteti serb... Unë ndaj aq sa më lejohet, vetë fakti që drejtori ishte në një raportim para Komisionit Parlamentar nuk mund të jap një deklaratë të pa faktuar dhe të pa bazuar”, shtoi Musliu para mediave.
Në mbledhjen e këtij komisioni është diskutuar edhe për prezencën e drogave sintetike në shkollat e vendit.