Musliu: Arrogancës së pushtetit nuk do t’i nënshtrohemi, të protestojmë çdo ditë
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu ishte pjesë e protestës së veteranëve të UÇK-së. Ajo tha se Qeveria të enjtën në tempullin e demokracisë, ia hapi derën diktaturës, ku pushteti erdhi dhe rraha deputetët.
Pas marshit të protestës kundër vendimit të qeverisë për miratimin e ligjit për pagën minimale, Musliu u shpreh se nuk do të ndalen deri në rrëzimin e kësaj qeverie të cilën e ka quajtur fashiste.
"O vetëm një qytetarë nëse proteston, unë do të jem e dyta. Duhet çdo ditë të dalim në protestë. Jemi vonuar shumë, e kemi toleruar shumë. Sot jemi vonë, por nuk do të ndalemi deri në rrëzimin e kësaj qeverie fashiste. Kjo është një qeveri diktatoriale, të enjten kjo qeveri, Parlamentit të Republikës së Kosovës, ia hapi derën diktaturës, me ardhë pushteti me t'i rrahë deputetët në kuvend, në vendin e punës, në tempullin e demokracisë, është e pafalshme. Prandaj ne nuk do të ndalemi, i vlerësoj dhe i respektoj jashtëzakonisht këta qytetarë, që për 24 orë me e mobilizu këtë masë, duke e ditur që është vera, duke e ditur që është e shtunë sot, dhe ne do t’i përkrahim, do t’i përkrahim çdo individë që del kundër kësaj qeverie, jo pse e duam pushtetin, por për shkak se ne e duam Kosovën, e Kosova kurrë më keq nuk e ka pasur punën.....Ne arrogancës, si qeveri duhet t’i dalim përballë nëse ajo nuk merr vesh. Ne do ta kryejmë punën tonë në kuvend, siç e kemi kryer qe dy vite e gjysmë. Por arrogancës e pushtetit nuk do t’i nënshtrohemi asnjëherë. Prandaj jemi sot këtu dhe do të jemi çdo ditë, sepse e duam Kosovën, dhe nuk do të lejojmë që askush të negociojë me Radojçiqin e kriminelë të Serbisë me vlerat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha ajo.
Protestuesit kërkuan që Mimoza Kusari Lila ta dorëzojë mandatin e deputetes. Kurse, nga Presidentja Vjosa Osmani kërkuan që ta kthej mbrapsht ligjin për pagën minimale, duke e konsideruar si anti-UÇK.
Protesta nisi me himnin kombëtar dhe përfundoi e qetë.