Elon Musk me deklaratat e tij në X lidhur me çështje të vendeve të huaja nuk është një kërcënim për demokracinë, ndërsa financieri dhe filantropisti amerikan me origjinë hungareze, George Soros, është ai që ndërhyn në politikën e shteteve të tjera, tha kryeministrja italiane, Giorgia Meloni të enjten në një konferencë përmbyllëse në Romë.
"A është problemi [me Musk] që ai është i pasur dhe me ndikim, apo që ai nuk është majtist?" i pyeti ajo gazetarët.
"Unë nuk marr para nga Musk, përkundrazi, të tjerët i morën nga Sorosi. Nuk shoh ndonjë kërcënim për demokracinë", tha ajo.
Kur u pyet për komentet e saj mbi mbështetjen e Musk për Alternativën për Gjermaninë dhe kritikat ndaj kancelarit Olaf Scholz dhe socialdemokratëve të tij, Meloni u përgjigj: "Dua të rikujtoj ndërhyrjen nga ana gjermane në fushatën italiane”."Musk shpreh pozicionin e tij dhe ky është diskutimi që po bëjmë”, shtoi ajo.
"Mund t'ju pëlqejë apo jo, por kur më thonë se ka një kërcënim të ndërhyrjes, unë theksoj që nuk është rasti i parë i njerëzve të njohur dhe të pasur që shprehin mendimet e tyre”, tha Meloni.
Meloni dhe Musk - pronar i Tesla, SpaceX dhe X, janë miq./ANSA.