Ambasadori i SHBA-së në Sarajevë Michael Murphy e vlerësoi atmosferën e sotme politike në vend si ndoshta më të keqen qe nga lufta dhe akuzoi liderin e Republikës Serbe Milorad Dodik se po kërcënon interesat e SHBA-së në Bosnje-Hercegovinë duke shpallur shkëputjen e entitetit të saj.
“Aktualisht, Bosnja dhe Hercegovina po përballet ndoshta me klimën më të keqe politike që nga vitet nëntëdhjetë të shekullit të kaluar. Milorad Dodik është veçanërisht përgjegjës për këto probleme”, tha Murphy në Sarajevë.
Për Dodikun, ai vlerësoi se retorika e tij është "gjithnjë e më e poshtër, ksenofobike dhe kokëfortë", ndërsa aktivitetet secesioniste janë një kërcënim direkt për marrëveshjen e paqes të Dejtonit.
"Plani i zotit Dodik për një 'ndarje paqësore' të Republikës Serbe nga Bosnja është një fantazi e rrezikshme, e paligjshme dhe përfaqëson një kërcënim për interesat themelore të SHBA-së në Bosnje," tha ambasadori amerikan.
Në seancën e fundit të Këshillit për Zbatimin e Paqes, i cili mbikëqyr punën e përfaqësuesit të lartë ndërkombëtar Christian Schmidt, i përbërë nga vendet perëndimore dhe Turqia, u theksua se lëvizjet përfundimtare secesioniste të Dodik nuk do të kalojnë pa reagim nga administrata ndërkombëtare në BeH, transmetojnë mediat kroate.