Murati: S’ka shtesa për punëtorët e sektorit privat, bizneset t’i rrisin pagat për punëtorë
Lexohet për: 4 min.
314027417_482293293859058_7764036298981139459_n
2 vite më parë
Linku u kopjua

Qeveria e Kosovës përkatësisht Ministria e Financave mbetet e prerë që mos të ndajë shtesa vetëm për punëtorët e sektorit privat. Ekzekutivi me pakon e fundit për përballje me inflacionin ka paraparë ndarjen e shtesave direket për punëtorët e sektorit publik me nga 50 euro nga muaji shtator, të ndërmarrjeve publike me 100 euro të njëhershme, si dhe pensionistët dhe studentët me nga 100 euro.

Ministri i Financave, Punës dhe Transferve, Hekuran Murati theksoi se nuk do të ndajnë mjete shtesë  drejtpërdrejt për punëtorët e sektorit privat, por siç tha ai do t’i mbështesin punëdhënësit që t’u rrisin pagat punëtorëve të këtij sektorit.

Sipas Muratit fitimi i korporatave dhe bizneseve është më i lartë se që ka qenë ndonjë herë, dhe për këtë arsye ai tha se ka hapësirë që në sektorin privat kompanitë t’i rrisin pagat për punëtorë.

Megjithatë, ai tha se disa masa nga pakoja për përballje me inflacionin kanë nisur të zbatohen dhe shumë shpejt do të trajtohen edhe shtesat për studentë dhe pastaj për punëtorë të ndërmarrjeve publike.

“Masat po zbatohen, normalisht jo të gjitha për një herë ose për një muaj zbatohen. Për këtë ka një sekuencim njësoj sikur me pakon e prillit. Aktualisht formulari i aplikimit është i hapur për studentë, shumë shpejt do t’i trajtojmë edhe shtesat për punëtorët e ndërmarrjeve publike dhe për kategori të tjera. Sa i përket sektorit privat, çka kemi dashur të bëjmë si qeveri, ka qenë që të sigurohemi se ka një rritje permanente të pagave në sektorin privat. Pra t’i mbështesim punëdhënësit që t’u rriten pagat në mënyrë permanente. Sepse ne si qeveri kemi dhënë një mbështetje, por ajo ka qenë një mujore. Pra, në sektorin privat rritja e pagave duhet të vij nga punëdhënësi. Dhe këtë punëdhënësit kanë hapësirë, ne këtë e shohim nga niveli i qarkullimit edhe nga mbledhja e tatimit në fitimin e korporatave. Fitimi i korporatave është më i lartë se që ka qenë ndonjëherë, pra ka hapësirë që në sektorin privat kompanitë t’i rrisin pagat. Dhe ne si qeveri do të insistojmë në këtë”, tha Murati.

Në një konferencë për media bashkë me misionin e FMN-së, Murati vazhdoi duke kërkuar nga kompanitë “të mos i rrisin vetëm marzhat e fitimit, por këtë ta ndajnë edhe me punëtorë”.

“U bëj edhe një herë thirrje që kompanitë private ta shfrytëzojnë mundësinë që ofron qeveria për të mbështetur tre muajt e parë rritjen pagave, në mënyrë që t’i rrisin pagat edhe në sektorin privat, sepse ka hapësirë. Si qeveri kemi mbështetur sektorin privat edhe bizneset për të përballuar rritjen e çmimeve të energjisë elektrike. Si qeveri kemi ndarë subvencion prej 100 milionë eurosh për të mos lejuar që tarifat të rriten në mënyrë të papërballueshme. Sektorin privat e kemi mbështetur në vazhdimësi, dhe presim që edhe këto kompani të mos e shfrytëzojnë rastin vetëm të rrisin marzhat e tyre të fitimit siç kanë bërë deri tani, por që një pjesë të atyre fitimeve ta ndajnë edhe me ata që ua mundësojnë këtë fitim, me punëtorët në këtë rast”, tha ai.

Ndonëse, për zbatimin e masës për mbështetjen e rritjes së pagës me 50 për qind, Murati nuk tregoi se sa kompani kanë aplikuar dhe për sa punëtorë.

Ndërsa, dy ditë më parë Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë ka kërkuar nga qeveria të ndajnë shtesat nga 200 euro edhe për punëtorët e sektorit privat. Po kështu edhe sindikata e sektorit privat po kërkon të mbështeten me shtesa edhe punëtorët e këtij sektori. /I. Shabani/

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024