Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati kërkon nga deputetët e opozitës në Kuvendin e Kosovës që të marrin pjesë në votimin e nesërm për ratifikimin e Marrëveshjes Ndërkombëtare me Bankën Botërore, për një kredi prej 90 milionë eurosh.
Ministri Murati thekson se kjo marrëveshje është unike, pasi ofron një normë interesi prej 0 për qind, ku sipas tij, është ‘falë përpjekjeve të qeverisë dhe reformave të ndërmarra në bashkëpunim me Bankën Botërore’.
“Kjo marrëveshje, me kushte jashtëzakonisht të favorshme, pret ratifikimin në Kuvend që nga maji i këtij viti dhe nesër do të jetë përsëri në rend dite, konkretisht në pikën e gjashtë,” tha ai.
Murati shpreson që edhe deputetët e opozitës do të marrin pjesë në votim, duke i lejuar Kosovës të përfitojë nga kjo marrëveshje.