Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, është ankuar të hënën se opozita ua ka bllokuar në Kuvendin e Kosovës marrëveshjen ndërkombëtare për Ngrohjen Qendrore Solare, si dhe marrëveshje tjera të ngjashme siç është ajo për KOSTT-in.
Ministri Murati vlerëson se kundërshtimi i projektit për ngrohje nga opozita, është përtej çdo logjike.
Ministri i Financave, i bën thirrje opozitës të heqin dorë nga ‘inatet politike’ dhe të votojnë marrëveshjet ndërkombëtare.
Postimi i Muratit:
Njëri nga projektet që po pret dritën e gjelbër të Kuvendit, është edhe ai për Ngrohjen Qendrore Solare.
Ky projekt mundësohet nga Qeveria e Republikës së Kosovës, për ndërmarrjen publike Termokos, dhe ka për synim shtimin e kapaciteteve gjeneruese, por edhe kyçjen e lagjeve tjera të Prishtinës në rrjet të ngrohjes.
Në total projekti parashihet të jetë mbi 80 milionë euro, dhe shumicën e financimit si Qeveri e kemi siguruar të jetë grant nga BE dhe nga Qeveria Gjermane.
Kundërshtimi i këtij projekti nga opozita, është përtej çdo logjike.
Ka shumë mënyra për të bërë opozitë. Mirëpo bllokimi i marrëveshjeve që janë në të mirë të qytetarëve nuk do duhej të ishte njëra nga to.
Andaj, lus deputetët e opozitës që të heqin dorë nga inatet politike dhe të votojnë marrëveshjet ndërkombëtare, të cilat hapin rrugë për realizimin e projekteve të rëndësishme.