Mungesa e tavolinave informuese në qendrat e votimit shkakton konfuzion te qytetarët
Lajme
Lexohet për: 2 min.
Ferizaj-Votimet-090225
16 orë më parë
Linku u kopjua

Largimi i tavolinave informuese nga qendrat e votimit ka shkaktuar konfuzion te qytetarët, në zgjedhjet e sotme parlamentare. Një gjë e tillë nga ndodhur në qendrën e votimit “Shaban Hashani” në komunën e Ferizajt.

Kryesuesja e kësaj qendre, Hajrije Nebihu tha për KosovaPress se votimi në këtë qendër ka nisur me kohë, mirëpo problem ka qenë mungesa e tavolinës informuese për qytetarët e cila është larguar nga KQZ-ja.

Kjo sipas saj ka bërë që shumë qytetarë “të presin me orë të tëra dhe në fund të kuptojnë se s’kanë të drejtë vote këtu”.

Krahas kësaj, si problem për qytetarët ajo e shfaqi edhe mungesën e vendvotimeve në katin e parë, gjë e cila ka vështirësuar votimin në katin e dytë për personat më të moshuar.

“Votimet kanë filluar me kohë dhe kemi qenë të përgatitur. I kemi gjashtë vendvotime, deri këtu jemi mirë por me disa pengesa dhe vërejtje që i kemi pasur. Mirëpo në përgjithësi procesi deri tani ka shkuar shumë mirë. Në katin e parë nuk kemi klasë, pra nuk kemi vendvotime. Sivjet na ka penguar shumë por ka qenë problem tavolina ndihmëse që është larguar nga KQZ-ja. Kemi raste të shumta që presin me orë dhe në fund kuptojnë se nuk do të votojnë këtu. Ky ka qenë problemi kryesor”, tha ajo.

Megjithatë, ajo tha se deri në orën 15:00 në këtë qendër kanë votuar 1 mijë e 602 votues nga gjithsej 5 mijë e 115 qytetarë me të drejtë vote.

“Deri në orën 15:00 kemi pasur 1 mijë e 602 votues me të drejtë vote. Krahasuar me zgjedhjet e vitit 2021 vërehet një fluks më i madh”, theksoi Nebihu.

Në Ferizaj të drejtë vote kanë 118 mijë e 288 votues, në 44 qendra të votimit me 152 vendvotime./KosovaPress

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025