Mungesa e krerëve institucionalë në inaugurimin e Trumpit po konsiderohet shqetësuese
Tema
Lexohet për: 3 min.
trumpp
1 orë më parë
Linku u kopjua

Mungesa e zyrtarëve të lartë institucionalë të Kosovës në inaugurimin e presidentit të zgjedhur të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, po konsiderohet shqetësuese nga analistët politikë. Sipas tyre, kjo tregon për “raportet e dëmtuara të këtij estabilishmenti politik me SHBA-të”.

Trump betohet sot si president i 47-të i Shteteve të Bashkuara dhe do të mbajë fjalimin tradicional të inaugurimit para shumë të pranishmëve dhe personaliteteve botërore.

Presidentja Vjosa Osmani dërgoi një delegacion i cili kryesohet nga ambasadori në SHBA, Ilir Dugolli.

Ndërkaq, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ish-presidenti Behgjet Pacolli, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama si dhe biznesmeni Shkëlqim Devolli, por marrin pjesë në ceremoni.

Analistja politike, Magbule Shkodra thotë për KosovaPress se është mirë që politikanë dhe biznesmenë të ndryshëm  nga Kosova po marrin pjesë në betimin e Trumpit si president, mirëpo sipas saj, ka qenë me rëndësi që vendi të përfaqësohet nga niveli më i lartë.

“Është me rëndësi për Kosovën që të përfaqësohemi nga zyrtarët shtetëror. Mirë që po marrin pjesë zyrtarë të tjerë, pasi kemi një përfaqësues nga një parti opozitare, po ashtu përfaqësues të biznesit. Mirëpo mungesa e zotëri Kurtit atje flet më shumë. Raportet jo të mira të zotit Kurti me Shtetet e Bashkuara po reflektohet tani me këtë”, thekson ajo.

Edhe analisti politik, Arbnor Sadiku e sheh si shqetësuese mos-prezencën e ndonjërit prej krerëve të shtetit në inaugurimin e Trumpit.

“Kjo tregon për qasjen e presidentit Trump dhe Partisë Republikane se një qeveri, le të themi e kryesuar nga Kurti, që aktualisht është duke qeverisur, nuk është e mirëpritur për ta, pasi nuk është zgjidhja e duhur për bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, deklaron Sadiku.

Presidentja Vjosa Osmani, ditë më parë ka bërë të ditur se ka marrë ftesë nga anëtarë të Kongresit të Shteteve të Bashkuara, Senati dhe Dhoma e Përfaqësuesve, për të marrë pjesë në inaugurimin e presidentit të ri amerikan Donald Trump, mirëpo ajo ka vendosur që të delegojë një zyrtar nga kabineti i saj që të përfaqësojë Kosovën.

Në anën tjetër, nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës nuk kanë treguar për KosovaPress nëse kanë marrë ftesë për inaugurimin e presidentit Trump.

Trump ka fituar zgjedhjet presidenciale në SHBA në muajin nëntor, duke mundur kundër-kandidaten nga demokratët, Kamala Harris.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025