Drejtori i Qendrës për Punë Sociale në Prishtinë, Vebi Mujku deklaron se janë duke u ofruar të gjitha shërbimet sociale për të miturën e dhunuar seksualisht. Për 11 vjeçaren dhe të miturit të cilët janë në mesin e pesë personave që dyshohet se keqpërdoren atë për shtatë orë, ai shton se është themeluar ekipi punues për të ofruar përkrahjen. Veç tjerash, ai thekson se vetëm gjatë vitit të kaluar kanë qenë 10 raste të dhunimeve seksuale në kryeqytet. Po ashtu, Mujku njofton se ky vit shënon edhe rritje prej 22 për qind të rasteve të dhunës në familje.
Në intervistën për KosovaPress, drejtori i Qendrës për Punë Sociale në Prishtinë tregon se janë në përkrahje të miturës 11 vjeçare, e cila një javë më parë u dhunua seksualisht.Ky nuk është rasti i vetëm në kryeqytet i dhunimit seksual. Mujku tregon se vetëm gjatë vitit të kaluar kanë qenë 10 raste të tilla.
“Dhunimi seksual është një prej formave më të rënda të punës që po merremi. Me theks të veçantë nëse flasim për të miturit dhe të miturat. Sepse, dhuna seksuale sot nuk po ndodh vetëm në mes gjinive të ndryshme, por edhe mes gjinive të njëjta. Po ndodh në rrugë, në lokale, motele, po ndodhë rreth shkollave, në familje në formë të incestit... Gjatë vitit të kaluar ne kemi trajtuar 10 raste dhe për këtë vit ende raportet jemi duke i prodhuar, sepse këto raste mund të ndodhin brenda një muaji 2-3 raste, disa muaj nuk ke asnjë”, tregon ai.
“Kemi një rritje prej 20 deri në 22 për qind të rasteve të dhunës në familje. Vlen të theksohet se gjatë vitit të kaluar ne si Prishtinë kemi trajtuar 229 raste të dhunës në familje, kurse gjatë këtij viti numri ka arritur në 160. Qysh në shtatë mujorin e parë dhe nëse vazhdohet me këtë trend atëherë deri në fundvit mund të kemi 280 apo 290 raste të dhunës në familje. Çfarë është një shqetësim tepër i madh për të gjithë neve”, tregon ai për KosovaPress.
Qendra për Punë Sociale tash e disa muaj është duke pranuar kërkesa për pagesën e qirave të cilat nuk kanë strehë.
Drejtori i Qendrës për Punë Sociale thekson se është e nevojshme që të ketë numër më të madh të stafit, për shkak të numrit të madh të rasteve që trajtojnë.
11 vjeçarja nga Prishtina, dyshohet se një javë më parë është dhunuar seksualisht nga pesë persona. Të njëjtit janë në paraburgim prej 30 ditëve.