Këto ditë Kosova dhe veçmas qyteti i Prishtinës po përballet me nivele të larta të ndotjes së ajrit.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës vlerëson se ndotja e ajrit konsiderohet një rrezik për shëndetin e njeriut, e sidomos për grupet e ndjeshme dhe me sëmundje të rrugëve dhe organeve të frymëmarrjes.
“Të reduktohen daljet në qytet dhe ne vendet me ajër të ndotur sidomos në mëngjes dhe mbrëmje e sidomos personat që kanë sëmundje kronike të sistemit kardiovaskular dhe respirator, fëmijët dhe shtatzënat; Të qëndrohet në shtëpi dhe mos të hapen dritaret për aerosjen e dhomave, derisa zgjasin vlerat e larta; Personat që pashmangshëm duhet të dalin në aktivitetet e tyre jashtë shtëpisë të përdorin maska mbrojtëse, të mbulojnë gojën e hundën me shall”, këto ishin ndër rekomandimet e IKSHPK-së.
Sipas Institutit, t dhënat e OBSh-së tregojnë se ndotja e ajrit shkakton pothuajse 500.000 vdekje të parakohshme çdo vit në botë. Përafërsisht 290.000 nga këto vdekje ndodhin në vendet me të ardhura të larta, ndërsa 190.000 vdekje ndodhin në vendet me të ardhura të mesme dhe të ulëta.