Deputeti nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, Armend Muja ka deklaruar se janë të gatshëm të shkojnë në zgjedhje të parakohshme përmes shpërndarjes së Kuvendit të Kosovës. Derisa ai thekson se themelimi i Asociacionit për komunat me shumicë serbe vazhdon të jetë sfidues për vendin.
Sa i përket mbajtjes së zgjedhjeve, Muja thotë se ‘nëse opozita është e gatshme për zgjedhje të reja, pozita është e gatshme të shpërndajë Kuvendin’.
Deputeti Armend Muja ka folur edhe për realizimin e projekteve kapitale, i cili thekson se janë disa projekte që duhet të implementohen këtë vit, por që sipas tij nuk kanë ndërlidhje me zgjedhjet.
Ndërkaq, në fillim të kësaj jave, kryeministri i vendit, Albin Kurti pas takimit me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka deklaruar se gjatë takimit kanë diskutuar edhe për zgjedhjes, porse ka thënë se duhet të dakordohet edhe me partitë tjera opozitare për këtë. Me ç’rast, pas kësaj PDK ka deklaruar se do t’i votojë edhe marrëveshjet ndërkombëtare. /E.Krasniqi/