Kandidat i parë nga komuniteti shqiptar në Itali për deputet të Parlamentit Evropian para rreth dy vjetësh, me prejardhje nga komuna e Medvegjës , Muharrem Salihu, përdorimin e termit “Luginë” e cilëson si të paqartë dhe politikisht problematik dhe thekson se pasojat e kësaj qasjeje tashmë janë të dukshme: Medvegja po mbetet gjithnjë e më shumë jashtë diskutimeve, jashtë përfaqësimit dhe jashtë vëmendjes institucionale.
Salihu shpreh pikëpamjen se ndryshimi i kufijve nuk nënkupton domosdoshmërisht ndarjen e Kosovës apo “shkëmbim territoresh”, siç është paraqitur për vite me radhë me qëllim krijimin e panikut dhe mbylljen e debatit publik.
Postimi i plotë:
Për një periudhë të gjatë kohore, nën moton “Jo ndryshimit të kufijve”, u ndërtua një narrativë politike e cila, në praktikë, çoi në mohimin e Referendumit të vitit 1992, në relativizimin e luftës së UÇPMB-së dhe në heshtjen ndaj sakrificës së dëshmorëve tanë. Në vend që të mbrohej vullneti politik i shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, gradualisht u pranua një tkurrje politike dhe kombëtare e vetë kauzës sonë.Është e domosdoshme të flitet hapur, me përgjegjësi dhe pa hezitim: Ndryshimi i kufijve nuk nënkupton domosdoshmërisht ndarjen e Kosovës apo “shkëmbim territoresh”, siç është paraqitur për vite me radhë me qëllim krijimin e panikut dhe mbylljen e debatit publik. Kufijtë në Ballkan kanë ndryshuar historikisht mbi bazën e realiteteve politike, etnike dhe të së drejtës së popujve për vetëvendosje.
Shqiptarët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit nuk kanë kërkuar asnjëherë më shumë sesa të drejtën për të jetuar të lirë, të barabartë dhe për të vendosur vetë për të ardhmen e tyre politike. Referendumi i vitit 1992 përfaqësonte shprehjen demokratike të këtij vullneti. Lufta e UÇPMB-së ishte pasojë e mohimit të të drejtave themelore. Dëshmorët ranë për dinjitet kombëtar dhe për të drejtat politike të popullit të tyre, jo për një term gjeografik pa identitet politik.