MSH e IKSHP nisin përgatitjet për ballafaqim me linë e majmunëve
Lexohet për: 4 min.
Minsitria-e-Shendetsise
2 vite më parë
Linku u kopjua

Ministria e Shëndetësisë ka konfirmuar se Kosova nuk ka regjistruar asnjë rast të dyshuar me linë e majmunit, por përgatitjet për ballafaqim me këtë sëmundje të re tashmë kanë nisur, kurse Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka filluar procedurat për blerjen e testeve diagnostikuese.

Kështu kanë bërë të ditur në një konferencë për medie zëvendësministrja e Shëndetësisë, Dafina Gexha-Bunjaku dhe drejtori i IKSHPK-së, Naser Ramadani.

Gexha-Bunjaku tha se rreziku është real që të preket me këtë virus edhe Kosova, por lajm të mirë e quajti faktin se lia e majmunëve nuk ka shpejtësi të përhapjes si COVID-19.

“Në vendin tonë deri më tani nuk është regjistruar asnjë rast i dyshuar i lisë së majmunëve. Në bazë të të dhënave epidemiologjike rreziku për popullatën e përgjithshme është i ulët dhe sëmundja zakonisht është e lehtë dhe vetë-kufizuese me përhapje relativisht të vogël. Megjithatë MSH me të strukturat e veta po monitoron situatën dhe po përgatit rekomandimet për profesionistët shëndetësorë... Për çdo ndryshim në lëkurë dhe simptomat  tjera të sindromës së infeksionit si ethe, dhimbje muskujsh, lodhje, luteni dhe udhëzoheni që të paraqiteni sa më parë pranë mjekut familjar... Lajm të mirë përbën fakti se të dhënat e deritashme tregojnë se ky virus nuk e ka shpejtësinë e përhapjes si COVID-19, megjithatë vigjilenca dhe kujdesi nuk duhet të na mungojë”, tha ajo.

Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Dafina Gexha-Bunjaku u shpreh se tashmë IKSHPK-ja ka filluar përgatitjet për porositjen  e testeve diagnostikuese për linë e majmunëve.

“Jemi duke i studiuar masat, të cilat po i marrin shtetet ku është shfaqur ky infeksion si izolimi individual i rasteve të prekurve  dhe gjurmimi i kontakteve të tyre dhe masat tjera të nevojshme... Në IKSHP tashmë kanë filluar përgatitjet për porositjen e testeve diagnostikuese për këtë sëmundje, në ndërkohë së shpejti do të mbajmë edhe një takim me institucionet shëndetësore për të diskutuar për hollësitë”, u shpreh Gexha-Bunjaku.

Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës, Naser Ramadani tha se ky institucion po e përcjell me vëmendje epidemiologjinë e linë e majmunëve, derisa u shpreh se tashmë kanë përpiluar dokumentin e parë të rekomandimeve dhe masave.

Duke e konsideruar si një sëmundje me rrezikshmëri të ulët, Ramadani tha se kjo sëmundje përhapet përmes kontaktit të ngushtë dhe me kafshët  e infektuara.

“Departamenti i Epidemiologjisë në IKSHPK po përcjell çdo ditë situatën epidemiologjike në Kosovë dhe botë dhe deri tani paraqitet një rrezikshmëri tejet e ulët e sëmundjes. Ekipet e epidemiologëve janë në gatishmëri të plotë duke e përcjell ecurinë e sëmundjes dhe shfaqjen eventuale të ndonjë rasti të dyshimtë. IKSHPK-ja ka përpiluar tashmë dokumentin e parë me rekomandime dhe masa për institucionet shëndetësore, i cili është shpërndarë në institucionet shëndetësore... Përgatitjet për sigurimin e materialit diagnostikues janë gati dhe eventualisht nëse paraqitet ndonjë rast i dyshimtë, i marrim të gjitha mostrat dhe në bashkëpunim me OBSH mund t’i testojmë... Rreziku është i përgjithshëm, por aktualisht është rrezikshmëri tejet i ulët, andaj nuk ka ndonjë rrezik të posaçëm për ardhjen e bashkatdhetarëve”, u shpreh Ramadani.

Sa i përket furnizimit me vaksina për një sëmundje të tillë, Ramadani tha se vaksina ende nuk është e disponueshme për distribuim dhe ekziston në botë vetëm vaksina kundër Variola Vera që mbron edhe kundër lisë së majmunëve, ndërsa një agjent antiviral i zhvilluar për trajtimin e lisë është licencuar.

Lia e majmunëve është sëmundje e cila ka qenë më shumë e përhapur në Afrikën,  së fundmi ka shpërthyer në shumë vende të botës ku janë regjistruar mbi 100 raste.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025