MSh: 250 euro shtesa për inspektorët, shtohen 33 pozita të reja
Lexohet për: 2 min.
vitiaa
1 vit më parë
Linku u kopjua

Ministria e Shëndetësisë njofton se nga muaji shtator, të gjithë inspektorët do të marrin shtesa prej 250 eurove.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia gjatë një vizite në Inspektoratin Shëndetësor dhe Inspektoratin Farmaceutik, ka njoftuar të pranishmit se kërkesat të cilat janë parashtruar nga ky institucion me qëllim të rritjes së performancës, tashmë janë realizuar.

 "Duke e pasur parasysh rëndësinë vitale të punës së Inspektoratit, me prioritet kam trajtuar të gjitha kërkesat të cilat do të ndikojnë në performancën e këtij institucioni për mbrojtjen e shëndetit publik. Nga muaji shtator, të gjithë inspektorët do të marrin shtesa prej 250 eurove. Këto shtesa do të jenë në vazhdimësi. Po ashtu, në fazën finale është procesi i rekrutimit të tridhjetë e tre inspektorëve, prej të cilëve 25 në Inspektoratin Shëndetësor, ndërsa tetë (8) në Inspektoratin Farmaceutik. Planifikimet janë që të krijohen 42 pozita të reja, të cilat do të rrisin dinamikën e punës dhe cilësinë e performancës", citohet ministri Vitia në komunikatë.

Sipas njoftimit, ministri Vitia ka kërkuar angazhim të shtuar, ndërsa ka theksuar se nuk do të ketë tolerancë në rastet kur ekziston dyshimi për drejtësi selektive.

 "Me rritjen e numrit të inspektorëve dhe të shtesave në pagë, si dhe me plotësimin e kushteve të punës, presim angazhim maksimal në zbatimin e ligjit për të gjithë njëjtë", citohet Vitia.

 Në këtë takim, U.D e udhëheqëses së Inspektoratit Shëndetësor, znj. Nora Kursani - Demjaha dhe udhëheqësja e Inspektoratit Farmaceutik, Remzije Thaçi, raportuan për inspektimet e realizuara.

Në fund të komunikatës thuhet po ashtu se Vitia është njoftur se gjatë këtij viti janë realizuar 635 inspektime, prej të cilave 115 gjatë muajit të kaluar nga Inspektorati Farmaceutik.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025