Juventusi ka dështuar kundër Venezia duke luajtur vetëm baras 2:2, në sfidën e rëndësishme për të mbajtur hapin me Atalanta për titull.
“Zonja e vjetër” ishte në kërkim të fitores, por pas barazimit të papritur mbetet tetë pikë larg liderit nga Bergamo.
Vendësit erdhën në epërsi me golin e Federico Gatti në minutën e 19-të, pas asistimit të Thuram.
Skuadra mysafire, pas golit të pësuar, mori dominimin në fushën e gjelbër, në kërkim të barazimit, të cilin e arriti në minutën e 61-të me golin e Ellertsson, pas asistimit të Zampano.
Mysafirët arritën deri te goli i epërsisë shtatë minuta para përfundimit të takimit me autogolin e Gatti dhe kur pritej humbja e parë për ekipin nga Torino, njëri nga lojtarët e Venezia luajti me dorë brenda zonës së rreptësisë dhe Dushan Vllahoviq nga penalltia në minutën e katër shtesë shpëtoi Juventusin për barazimin 2:2.
Venezia mbetet e fundit në tabelë me 10 pikë, duke vazhduar të jetë kështu e rrezikuar për mbijetesë në Serie A.