MPJD: Ndërhyrja e NATO-s mbahet mend për ndalimin e gjenocidit në Kosovë
Lexohet për: 2 min.
6 muaj më parë
Linku u kopjua

Ministria e Jashtme e Kosovës është deklaruar në 75-vjetorin e themelimit të NATO-s, organizatës më të fuqishme ushtarake në botë, e cila para 25 vjetësh nisi bombardimet ndaj Serbisë, për t’i dhënë fund spastrimit etnik që kishte ndërmarrë ndaj shqiptarëve ish-kasapi i Ballkanit Sllobodan Millosheviq. Në një postim në rrjetin social X, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës tha se 75-vjetori i Aleancës Veri-Atlantike qëndron si testament i solidaritetit dhe forcës së vlerave të përbashkëta. “Në Kosovë, ndërhyrja e NATO-s mbahet mend për ndalimin e gjenocidit. Teksa festojmë këtë përvjetor, ne ripërtërijmë angazhimin tonë për të thelluar bashkëpunimin dhe për t’iu bashkuar aleancës”, thuhet në postim.

E themeluar 75 vjet më parë në Uashington, me fillimin e Luftës së Ftohtë, Organizata e Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) u bë organizata kryesore udhëheqëse e mbrojtjes së përbashkët me 32 vende anëtare në Evropë dhe Amerikën e Veriut. NATO fillimisht kishte 12 shtete themeluese: 10 evropiane, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanadanë. Ajo synonte të luftonte kundër kërcënimit sovjetik dhe bazohej në parimin e solidaritetit të ndërsjellë midis të gjithë anëtarëve të tij, siç përcaktohet në nenin 5: “Palët bien dakord që një sulm i armatosur kundër një ose më shumë prej tyre, në Evropë ose në Amerikën e Veriut, do të konsiderohet si një sulm i drejtuar kundër të gjitha palëve”.

Gjatë viteve u bënë pjesë edhe Greqia, Turqia (1952), Gjermania (1955) dhe Spanja (1982). Kur BRSS-ja u shpërbë, në vitin 1991, një fazë e re po krijohej për Aleancën dhe në maj 1997, NATO-ja dhe Rusia do të nënshkruanin “Aktin Themelues”. Në mars 2004, shtatë vende të Evropës Lindore i bashkohen NATO-s: Sllovakia, Sllovenia, Bullgaria, Rumania dhe tre ish-republikat sovjetike (Lituania, Estonia, Letonia), anëtarësimi e të cilave veçanërisht irritoi Moskën. Këtyre vendeve u janë bashkuar në 2009 Shqipëria dhe Kroacia. Suedia në vitin 2024 është bërë vendi i fundit, i 32-ti anëtar i NATO-s.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024