Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, ka dalë me informacione të reja mbi arrestimin e ish-pjesëtarit të UÇK-së Hasan Dakaj në Serbi.
Në njoftim bëhet e ditur se MPJD dhe Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi që nga dita e parë e arrestimit të Dakajt ka qenë e angazhuar në këtë rast dhe sot pas miratimit të kërkesës nga autoritetet serbe, ambasadori Jetish Jashari ka vizituar Dakajn në Qendrën e Paraburgimit të Gjykatës Speciale për Krime të Luftës të Beogradit, ku ai është duke u mbajtur.
Gjatë vizitës që i është bërë sot, Dakaj ka konfirmuar se Prokuroria e Lartë për Krime të Luftës e Beogradit e ngarkon atë për kinse krime lufte në Kosovë më 1999.
Dakaj ka bërë të ditur se deri më tani nuk ka përjetuar dhunë fizike apo formë tjetër të maltretimit, ndërsa i është lejuar të kontaktojë me telefon familjen e tij.
Njëkohësisht kërkohet përgjegjësi nga shteti serb për këto veprime arbitrare dhe destruktive që bien ndesh me konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.
Marrë parasysh fushatën përndjekëse dhe veprimet arbitrare të Serbisë ndaj qytetarëve të Kosovës dhe në veçanti atyre që kanë qenë pjesë të luftës çlirimtare, MPJD fton qytetarët për kujdes të shtuar dhe nëse ballafaqohen me vështirësi të natyrave të ndryshme gjatë udhëtimit në Serbi, të kontaktojnë në numrin e telefonit +383 46 51 00 51.
Policia serbe arreston ish-pjesëtarin e UÇK-së Hasan Dakajn nga Prizreni • KosovaPress