Si pasojë e motit të keq, autoritetet detare shqiptare në bashkëpunim me kompanitë e lundrimit kanë vendosur pezullimin e përkohshëm të lëvizjes së trageteve në të dyja drejtimet për linjat Durrës-Bari-Durrës dhe Vlorë-Brindizi e kthim gjatë ditës së premte.
Krahas trageteve të këtyre linjave, është ndaluar edhe lundrimi i anijeve të tonazhit të vogël, përfshirë dhe flotën e peshkimit.
“Jemi njoftuar që për linjën Durrës-Bari-Durrës në të dy krahët do të ndalohet lundrimi i trageteve për arsye të forcës së detit që arrin deri në 7-8 ballë në det të hapur. Linja e Ankonës vazhdon normalisht. Në port situata është normale dhe ditën e nesërme do të normalizohet situata detare me nisjet drejt Barit në orën 22:00. Që ditën e djeshme, DPD ka njoftuar ekuipazhet e anijeve të vogla dhe ato të peshkimit që ndodhen në port të forcojnë masat e sigurisë në mjetet e tyre detare”, tha Tauland Allka, kapiten i Portit Detar Durrës.
Në kushte të tilla detare, ndërprerja e lundrimit konsiderohet një masë e nevojshme për sigurinë dhe mbrojtjen e pasagjerëve, ekuipazheve, anijeve dhe mallrave në det, pavarësisht se ajo ka pasojat e veta në aktivitetin detar dhe ekonominë lokale dhe më gjerë.
Volumi i mallrave drejt Kosovës përmes Portit të Durrësit, rritje me 50 për qind - KosovaPress