Policia e Kosovës është e fokusuar në mbrojtjen dhe sigurinë e fëmijëve, andaj apelon për kujdes të shtuar në përdorimin e rrjeteve sociale, sidomos platformës TikTok, e cila kohët e fundit ka shpërndarë sfida që paraqesin rreziqe për shëndetin dhe sigurinë e të rinjve.
“Super heronjtë nuk janë të vërtetë kujdesuni për veten dhe shokët tuaj. Mos u bëni pjesë e lojës që rrezikon jetën”, porosit Policia e Kosovës duke shtuar se kjo sfidë është një nxitje për të realizuar veprime përmes lojërave që mund të shkaktojnë lëndime dhe dëmtime të ndryshme.
Prindërit duhet të jenë të vëmendshëm mbi përdorimin e rrjeteve të ndryshme sociale nga fëmijët e tyre dhe t'i ndihmojnë ata në identifikimin dhe ofrimin e ndihmës për shmangien e përfshirjes se tyre në lojërat e dëmshme dhe të rrezikshme.
Policia e Kosovës thotë se është e angazhuar në mbështetje të komunitetit dhe të rinjve për një përdorim të sigurt dhe të përgjegjshëm të rrjeteve sociale, dhe i bën thirrje çdo prindi dhe mësuesi të jetë i vëmendshëm dhe të inkurajojë përdorimin e teknologjisë për qëllime pozitive dhe edukative.