“Mos ecni vetëm, mos u ndani nga masa”, Dardanët lëshojnë paralajmërimin e rëndësishëm
Sport
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
“Mos ecni vetëm, mos u ndani nga masa”, Dardanët lëshojnë paralajmërimin e rëndësishëm
dardanet
26/03/2026 - 08:24
Linku u kopjua

Atmosfera para ndeshjes mes Sllovakisë dhe Kosovës është ndezur në Bratisllavë, ku mijëra tifozë shqiptarë kanë marshuar në rrugët e qytetit që nga dita e djeshme, duke krijuar një interesim të jashtëzakonshëm. Në këtë frymë entuziazmi, tifogrupi “Dardanët” ka dalë me një apel të fortë publik, duke kërkuar organizim dhe respektim të rregullave për të garantuar sigurinë e të gjithë tifozëve.

Nga grupi i tifozëve është theksuar qartë rëndësia e grumbullimit të përbashkët në një lokacion të vetëm, sipas udhëzimeve të autoriteteve sllovake. “Ju lutemi që ta respektoni ardhjen në vendtakimin e përcaktuar për tifozët tanë nga ora 14:00 deri në ora 17:45”, thuhet në apel, duke bërë të ditur se pika e grumbullimit është “Gelato Point, Laurinská 780/2, në Bratisllavë”. Sipas tyre, vetëm nga ky lokacion do të garantohet siguria për hyrjen në stadium.

Në komunikatë bëhet e ditur se autoritetet vendore do të organizojnë edhe transportin për tifozët kosovarë drejt stadiumit dhe kthimin pas ndeshjes, nën masa të rrepta sigurie. “Autoritetet sllovake do të organizojnë transportin si para ndeshjes, ashtu edhe pas saj, ndërsa shoqërimi do të jetë rigoroz”, theksohet më tej.

Një tjetër pikë kyçe e apelit lidhet me lëvizjen e tifozëve në qytet. “Kemi indikacione më shumë sesa këshilla që të mos shkëputeni nga masa dhe të shmangni me çdo kusht ecjet të vetëm”, thuhet në reagim, duke paralajmëruar se lëvizjet individuale mund të sjellin telashe të panevojshme.

“Dardanët” kanë bërë thirrje që ky informacion të shpërndahet tek të gjithë tifozët që ndodhen në Bratisllavë apo janë në rrugë drejt saj, në mënyrë që gjithçka të zhvillohet sipas planit të koordinuar me policinë sllovake.

Në fund, grupi i tifozëve shpreh besimin se prania masive e shqiptarëve në Bratisllavë do të jetë një shtysë e madhe për futbollistët e Kosovës në këtë sfidë vendimtare, duke rikujtuar se Kombëtarja nuk është kurrë vetëm dhe mbështetet nga një popull i tërë, kudo që ndodhet.

KosovaPress

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026