Futbollisti i Gjilanit, Blerind Morina, është shpallur “Ylli i Javës” për xhiron e 25-të në elitën e futbollit kosovar.
Ky vlerësim vjen nga Federata e Futbollit e Kosovës, si pjesë e çmimit tradicional që i ndahet lojtarit më të dalluar të javës.
Morina pati një paraqitje të shkëlqyer në fitoren e rëndësishme 2-3 të Gjilanit ndaj Llapit, ku realizoi një gol dhe kontribuoi dukshëm në lojën e ekipit të tij.
Sipas njoftimit, përzgjedhja është bërë nga Komisioni i Veteranëve të Futbollit, i cili vlerësoi performancën dhe ndikimin e tij në këtë ndeshje.
Pas marrjes së çmimit, Morina u shpreh i kënaqur me arritjen personale dhe suksesin e skuadrës.
“Gjatë tërë javës kemi punuar shumë dhe kemi analizuar Llapin. Kjo ka qenë një fitore shumë e rëndësishme për ne. Objektivi i ekipit gjithmonë ka qenë dalja në Evropë, por duke e parë tabelën, pse jo edhe më shumë. Falënderoj stafin e trajnerëve dhe bashkëlojtarët. Këtë çmim ia dedikoj SC Gjilanit” - deklaroi Morina për faqen zyrtare të FFK-së.
Gjilani ndeshjen e ardhshme do ta zhvillojë ndaj Dritë më 22 mars 2026, me fillim nga ora 13:00.