Futbollistet e Mitrovicës e kanë fituar trofeun e parë të këtij edicioni për futbollin e vajzave. Ato në finalen e Kupës së Kosovës e kanë mundur skuadrën e EP Hajvalisë, me rezultat 2:1.
Ndeshja e zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, solli rivalitet dhe lojë interesante nga të dyja ekipet. Të parat në epërsi kaluan mitrovicaset, të cilat realizuan përmes Edona Kryeziut, në minutën e 10-të. E njëjta futbolliste paraprakisht qëlloi tërthorësen pas gjuajtjes me kokë në minutën e 4-t. Skuadra e drejtuar nga Suad Keqi pati mundësi të mirë për të barazuar shifrat në minutën e 34-t, por Fortesa Berisha në një përballje direkte me portieren Viona Rexhepi nuk doli e suksesshme.
Në fund, medaljet për të dyja ekipet finaliste dhe trofeun për kapitenen e Kaltrina Biqkaj e ndanë Vjollca Krasniqi, anëtare e KE të FFK-së, Përparim Drini, drejtor i Sigal Uniqa dhe Valbona Gashi Uka, menaxhere e futbollit të vajzave në FFK. Nga afër këtë ndeshje e ndoqën edhe presidenti i FFK-së, Agim Ademi, anëtarë të KE të FFK-së si dhe zyrtarë nga MKRS dhe KOK-u.