Misioni i OSBE-së inkurajon universitetet që të integrojnë edukimin mediatik si lëndë bazë
Lexohet për: 3 min.
Media and Information Literacy lectures
2 vite më parë
Linku u kopjua

Misioni i OSBE-së në Kosovë, sot ka informuar se ka përfunduar serinë e ligjëratave për edukimin mediatik dhe informativ në tri universitete publike.

Në periudhën mes tetorit e nëntorit 2022, Misioni i OSBE-së në Kosovë ka organizuar 48 ligjërata mbi edukimin mediatik dhe informativ për studentët në universitetet publike në Mitrovicën e jugut, Pejë dhe Gjakovë.

Misioni i OSBE-së ka bërë të ditur se në ligjërata kanë marrë pjesën gjithsej 185 studentë, të cilët janë pajisur me aftësi kyçe të edukimit mediatik. Ata, siç është potencuar, kanë shtjelluar tema specifike, si efektet e mediave të reja, konteksti i ri i komunikimit, ndërtimi i lajmeve, roli i mediave rreth stereotipeve gjinore, edukimi reklamues, multikulturalizmi në media, propaganda, fushatat politike, lajmet e rreme, verifikimi dhe kontrollimi i fakteve.

Për organizimin e këtyre ligjëratave është ndjekur shembulli i njëjtë i bashkëpunimit me universitetet publike në Prizren e Gjilan më 2021, si dhe hartimit të kurrikulës gjithëpërfshirëse të edukimit mediatik për arsimin e lartë më 2019, së bashku me Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës.

Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadori Michael Davenport, është shprehur se përmes punës me universitetet kanë inkurajuar studentët që të kenë mendim kritik për përmbajtjet që marrin çdo ditë, në mënyrë që t’i dallojnë dezinformatat dhe lajmet e rreme.

“Jam shumë i kënaqur që tani studentët e universiteteve të Prishtinës, Gjilanit dhe Gjakovës edukimin mediatik do ta kenë lëndë të obligueshme. Jam i gëzuar që bashkëpunimi ynë i kamotshëm me institucionet e arsimit të lartë është duke i ndihmuar të rinjtë që të orientohen në peizazhin kompleks mediatik.”, ka thënë ai.

“Viteve të fundit Misioni i OSBE-së në Kosovë ka realizuar një sërë aktivitetesh në media dhe informim, përfshirë emisione edukative, fushata dhe ligjërata për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme dhe universitetet publike. Në bashkëpunim me DokuFest, Misioni organizoi seminare trajnimi për rreth 70 mësimdhënës të shkollave të mesme, në periudhën mes 2018 dhe 2022.”, është bërë e ditur në komunikatë.

Misioni i OSBE-së ka inkurajur të gjitha universitetet publike që të integrojnë edukimin mediatik si lëndë bazë, ndërsa do të vazhdojë të mbështesë arsimin e lartë në Kosovë për ta realizuar këtë qëllim.

Viteve të fundit, për shkak të domosdoshmërisë që nxënësit të zotërojnë shkathtësi të edukimit mediatik dhe informativ në epokën aktuale digjitale, kjo lëndë ishte përfshirë si lëndë zgjedhore në shkollat fillore dhe të mesme, si dhe në disa universitete. Përveç kësaj, universitetet publike në Prishtinë, Gjilan dhe Gjakovë, me planet e tyre aktuale të studimit, parashohin që edukimi mediatik dhe informativ të mësohet si lëndë e obligueshme nga viti 2023/2024 e tutje. Kjo do t'u mundësojë studentëve që t’i analizojnë mediat, përfshirë si ndikojnë ato në jetën dhe komunitetet e tyre, por edhe që të përgatiten për karrierën e tyre.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024