Projektbuxheti i vitit 2025, i diskutuar prej 48 orësh në sallën e Kuvendit të Shqipërisë u miratua në parim me 75 vota pro, 40 kundër, ndërsa 22 deputetë të pranishëm në sallë nuk morën pjesë në votim.
Buxheti i vitit 2025, është 2 herë më i lartë se ai i vitit 2013, me një total prej rreth 8.2 miliardë euro. Sipas parashikimeve, rritja ekonomike pritet të jetë 3.9%. Kjo rritje do të gjenerohet kryesisht nga kërkesa e brendshme, si nga konsumi privat ashtu edhe nga investimet totale në ekonomi. Turizmi po ashtu do ketë një rol të rëndësishëm.
Sipas parashikimeve në buxhet, në fund të vitit 2024 pritet që papunësia të shkojë në nivelin 10.2%, dhe për vitin 2025 parashikimet janë që norma e papunësisë të zbresë në 9.8% të forcës aktive për punë.
Të ardhurat buxhetore për vitin 2025, parashikohen në masën 754.6 miliardë lekë ose 28.8% e PBB-së. Krahasuar me planin e rishikuar për vitin 2024, të ardhurat buxhetore për vitin 2025 parashikohen me rreth 40.6 miliardë lekë më shumë/ATSh