Ministria e Mjedisit e Planifikimit Hapësinor të mërkurën ka vendosur tabelat me emrat e rinj të rrugëve në Mitrovicën e Veriut. Por, kryetari i kësaj komune, Milan Radojeviq nga Lista Serbe i mbuloi menjëherë ato. Ndonëse vendimi vendimi për ndryshimin e emrave të 87 rrugëve në këtë komunë ishte miratuar më 25 gusht 2025, Radojeviq pretendoi se një gjë e tillë është e paligjshme.
Në rrethin në hyrje të Mitrovicës së Veriut janë vendosur shenjat me emrat “Zoran Gjingjiq” dhe “Isa Boletini”, ku është raportuar se e pranishme ishte edhe ministrja Fitore Pacolli, e cila ka thënë se lidhur me këtë edhe qytetarët kanë qenë të informuar. KosovaPress ka provuar të marrë një qëndrim nga ministrja Pacolli, por deri në momentin e publikimit të këtij lajmi, nuk ka marrë përgjigje.
Ndryshe, në kohën kur ishte marrë ky vendim për emërtimin e rrugëve me emra të rinj, Mitrovica e Veriut udhëhiqej nga Lëvizja Vetëvendosje. Ndërkaq Lista Serbe u rikthye në udhëheqje në fundvitin e shkuar.