Ministri Peci në panairin AGRA 2022: Kosova ka shembuj të shumtë suksesi
Lexohet për: 2 min.
4.
2 vite më parë
Linku u kopjua

Ministri i Bujqësisë Faton Peci ka marrë pjesë sot në ceremoninë e hapjes së Panairit të 60-të Ndërkombëtar të Bujqësisë dhe Ushqimit – AGRA 2022, i cili është duke u mbajtur në Gornja Radgona të Sllovenisë dhe ku pjesëmarrës ishte edhe presidenti slloven, Borut Pahor.

Gjatë kësaj ceremonie, ministri Peci krahas takimeve të shumta me homologë të vendeve të rajonit, me ftesë të homologut maqedonas Lupço Nikollovski, ka vizituar stendën e prodhimeve maqedonase, me ç’rast u zhvillua një prezantim i produkteve të këtij shteti.

“Gjatë kësaj vizite, theksova se pjesëmarrja institucionale dhe e agrobizneseve në panaire të tilla është mundësi e mirë për krijimin e partneriteteve të reja me agrobiznese të vendeve të ndryshme të rajonit e më gjerë dhe theksova se mundësinë e pjesëmarrjes në këtë panair vitin tjetër do ta kenë edhe prodhuesit kosovarë”, tha ministri Peci.

Gjatë ditës ministri Peci zhvilloi edhe një takim me homologun slloven, ku u dakorduan që ta rrisin bashkëpunimin me shtetin slloven në fushën e bujqësisë, duke krijuar ura lidhëse mes institucioneve të të dyja shteteve dhe agrobizneseve.

“Ne kemi avancuar agjendën legjislative duke miratuar një sërë ligjesh jetike për sektorin e bujqësisë, të cilat mundësojnë rritjen e cilësisë së prodhimeve vendore, në mënyrë që prodhimet tona edhe më shumë të jenë prezente në tregun e BE-së”, tha ministri Peci.

Ai shtoi se Kosova ka shembuj të shumtë suksesi ku prodhimet vendore kosovare zënë vend në raftet e dyqaneve evropiane më me renome.

Panairi Ndërkombëtar i Bujqësisë dhe Ushqimit (AGRA), i cili organizohet nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ushqimit e Sllovenisë, do të jetë i hapur deri më 25 gusht.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024