Ministri në detyrë i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja mori pjesë sot në ceremoninë e përfundimit të Projektit IRIS dhe funksionalizimit të sistemit të rehabilituar të ujitjes në Radoniq të Gjakovës.
Sipas komunikatës për media të kësaj ministrie, ky projekt ka një vlerë totale prej 9.15 milionë euro. Implementimi operacional dhe menaxhimi i sistemit të rehabilituar të ujitjes do të realizohet nga KRU Radoniqi-Gjakovë, e cila do të kujdeset për funksionimin e qëndrueshëm, mirëmbajtjen dhe ofrimin e shërbimeve efikase për shfrytëzuesit e këtij sistemi.
Tutje thuhet se projekti ka mundësar edhe rehabilitetin dhe modernizimin e sistemit të ujitjes, përmirësimin e menaxhimit të burimeve ujore. Ndër të tjerash mundëson edhe rritjen e efikasitetit operacional dhe krijimin e kushteve më të favorshme për prodhim bujqësor më të qëndrueshëm dhe konkurrues.
Sipas komunikatës, ministri në detyrë Muja theksoi se ky investim përfaqëson një vizion të realizuar për një bujqësi më moderne, më produktive dhe më rezistente ndaj sfidave të së ardhmes.Në përmbyllje, ministri Muja theksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar që projekte të tilla, të cilat janë në të mirë të fermerëve dhe bujqve të Republikës së Kosovës, të vazhdojnë edhe në të ardhmen në bashkëpunim të ngushtë me Bashkimin Evropian dhe Bankën Botërore, gjithmonë në të mirë të qytetarëve të vendit.
Ndërkaq ky projekt është financuar përmes një donacioni nga Komisioni Evropian dhe dhe administruar nga Banka Botërore, ndërsa është udhëhequr dhe menaxhuar nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.