“Ministër propaganda”, Bajrami i reagon Muratit pasi foli për rritje të investimeve kapitale
Lexohet për: 3 min.
hykmete-bajrami-hekuran-murati
8 muaj më parë
Linku u kopjua

Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami ka reaguar menjëherë pasi ministri i Financave, Hekuran Murati tha foli për rritjen e investimeve kapitale “në nivelin më të lartë ndonjëherë”.

Bajrami shkroi në Facebook se Murati, të cilit i është referuar si “ministër propaganda”, po flet “me shifra të pasakta”

“Minister propaganda, Prapë me shifra të pasakta. Edhe një herë sipas ministrisë që ti drejton – ministrisë së financave, investimet kapitale të nivelit qendror në vitin 2023 janë të njëjta me vitin 2017 – 349 milionë euro, vetëm se në vitin 2017 buxheti i Kosovës ka qënë 1.8 miliardë euro e në vitin 2023 buxheti ishte 2.923 miliardë euro dhe inlfacioni në 3 vite të qeverisë tuaj është 23%”, shkroi Bajrami.

Deputetja shkroi se Murati po krenohet “me investimet kapitale të komunave”.

“Po krenohesh me ivestimet kapitale të komunave, të cilat në vitin 2023 janë 205 milionë euro dhe nga 2017 janë dyfishu, por ju për komuna asnjë meritë nuk e keni, se veç pengesa ju ke bë si me bllokim të mjeteve vetanake si me tatim në pronë”.

“Mjaftë me propagandë se s’po të shitet. Në qeveri të matët puna, jo fjalët”, shkroi në fund ish-ministrja.

Kurse më herët gjatë ditës, Ministri i Financave, Hekuran Murati ka vazhduar të publikojë grafikë për të dëshmuar se, sipas tij, shteti ka përparuar dhe se Qeveria ka shënuar suksese të mëdha. Kësaj here, ai paralajmëroi “boom të investimeve kapitale” sivjet.

Murati kësaj here shkroi se investimet kapitale në vitin 2023 kanë shënuar rritje prej 33%, “niveli më i lartë ndonjëherë”, sipas tij, ndërkohë që opozita flet për të kundërtën.

“⚡️Investimet kapitale në 2023 shënojnë rritje prej 33%, niveli më i lartë ndonjëherë. Raporti vjetor tregon se viti 2023 është përmbyllur me rreth ? 561 milionë euro investime kapitale buxhetore të realizuara. Kjo shënon një rimëkëmbje të theksuar të investimeve kapitale krahasuar me vitin paraprak, e njëkohësisht edhe shifrën më të lartë të investimeve kapitale të realizuar ndonjëherë”, shkroi Murati.

Ministri shtoi se pas viteve të pandemisë 2020-2021, dhe vitit 2022 kur, siç shkruan ai, “punëkryesit kishin probleme me koston e materialeve ndërtimore”, ai shkruan se “më në fund viti 2023 ka rikthyer investimet kapitale në binarët e duhur”.

“Lajmi akoma më i mirë është se trendi i vitit 2024 deri më tani tregon për performancë edhe më të mirë sesa viti 2023 dhe pritet që sivjet të kemi “boom” të investimeve kapitale”, shkroi ai.

Ky rezultat, Murati shkruan se erdhi “pas shumë e shumë punëve në rregullimin e problemeve që ishin trashëguar, me projekte të padizajnuara si duhet dhe pa kryer obligimet e shpronësimit, probleme të cilat për shumicën e projekteve tashmë janë zgjidhur”.

“PS. Deri në vitin 2019, shumica dërrmuese e investimeve kapitale, 150-200 milionë euro në vit, kanë qenë pagesa për vetëm një projekt, atë të autostradës. Prandaj nëse merret edhe ky fakt parasysh, i bie që shuma e investuar për shkolla, spitale, kulturë, sport, siguri e ushtri, ka qenë shumë më e vogël sesa që mund të mendohet në shikim të parë”, shkruan Murati në fund të postimit të tij.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024